Polonia njofton ndërtimin e një gardhi në kufirin me Bjellorusinë për të ndaluar emigrantët

Nga Exit News
Polonia njofton ndërtimin e një gardhi në kufirin me Bjellorusinë për të ndaluar emigrantët

Polonia do të ndërtojë një gardh përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë, tha ministri i mbrojtjes të hënën, për të ndaluar fluksin e emigrantëve që Bashkimi Evropian thotë se po nxitet nga Presidenti Bjellorus, Alexander Lukashenko në shenjë hakmarrje ndaj sanksioneve të BE.

Polonia dhe shtetet e tjera të BE-së, Lituania dhe Letonia, kanë raportuar rritje të numrit të emigrantëve nga vende të tilla si Iraku dhe Afganistani që përpiqen të kalojnë kufijtë e tyre. BE thotë se Lukashenko po zhvillon “luftë hibride” me emigrantët për të ushtruar presion mbi bllokun.

“Një gardh i ri i fortë 2.5 metra i lartë do të ndërtohet në kufirin me Bjellorusinë,” shkroi ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak në Twitter ku paralajmëroi se më shumë ushtarë do të përfshihen në ndihmën e Policisë Kufitare.

Qeveria e Polonisë është kritikuar ashpër nga organiziata të të drejtave të njeriut për gjendjen e keqe të një grupi emigrantësh të bllokuar për dy javë në mes të rojeve kufitare polake dhe bjelloruse pranë fshatit Usnarz Gorny.

Polonia thotë se lejimi i emigrantëve për të hyrë në territorin e saj do të inkurajonte migrimin e mëtejshëm ilegal dhe gjithashtu ‘do të luante lojën e Lukashenkos, raporton Reuters.

“Këta nuk janë refugjatë, ata janë emigrantë ekonomikë të sjellë nga qeveria Bjelloruse,” u tha gazetarëve zëvendësministri i jashtëm Marcin Przydacz.

Por disa avokatë dhe OJQ akuzojnë Varshavën për trajtimin çnjerëzor të emigrantëve të bllokuar duke ndaluar hyrjen e tyre.

“Situata është e tmerrshme dhe nuk kam dyshim se këta njerëz përballen me trajtim mizor, degradues, çnjerëzor, dhe në disa raste, ajo duhet të quhet me emrin e saj: kemi të bëjmë me tortura,” tha Mikolaj Pietrzak, një avokat që përfaqëson emigrantët , tha transmetuesi privat TVN24.

Avokati i Popullit i të Drejtave të Njeriut polak tha se rojet kufitare kishin shkelur Konventën e Gjenevës duke mos pranuar deklarata verbale nga disa prej emigrantëve se ata donin të aplikonin për mbrojtje ndërkombëtare në Poloni.

Lituania tha të hënën se do të përfundojë një gardh 508 km (315 milje) përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë deri në shtator të vitit të ardhshëm.

Lukashenko ka thënë se nuk do t’i ndalë më emigrantët për shkak të sanksioneve të BE-së të vendosura pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale vitin e kaluar dhe goditjes pasuese ndaj protestuesve dhe disidentëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>