Portugalia nuk ka raportuar asnjë vdekje me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, për herë të parë që nga muaji mars. Gjithashtu, ajo shënoi edhe numrin më të vogël të të infektuarve.
Shifrat, e raportuara të hënën, treguan se numri i të infektuarve të konfirmuar u rritën me 106. Ndërsa, 62% të infeksioneve të reja të raportuara brenda dhe rreth Lisbonës.
“Ka qenë shumë e vështirë kohët e fundit – ne jemi shumë të lumtur që kjo ndodhi,” tha sekretari i shtetit për shëndetësinë, Antonio Sales, gjatë një konference për shtyp.
Vendi, ekonomia e të cilit varet nga turizmi, doli nga izolimi gjashtë javor më 4 maj dhe fillimisht u përshëndet si një histori suksesi në luftën e tij kundër sëmundjes.
Por shpërthimet e reja të pandemisë, në periferi të Lisbonës e detyruan qeverinë të rivendoste disa masa në zonat e prekura dhe bëri që disa vende evropiane, përfshirë Irlandën, Belgjikën dhe Finlandën, të ndalonin udhëtimet për në Portugali.