Portugalia ka marrë presidencën e Këshillit Europian për 6 muajt e ardhshëm ku prioritet do të jenë rimëkëmbja ekonomike dhe përfundimi me sukses i fushatës së nisur të vaksinimit kundër COVID-19.
Kryeministri portugez, Antonio Kosta do të delegojë një pjesë të përgjegjësisë te ministri i Jashtëm i Portugalisë, Augusto Santos Silva, i cili tha për Euronews se fokusi i politikave të jashtme do të jetë tek India dhe Afrika.
“Në aspektin e marrëdhënieve të brendshme vlera e shtuar që ne sjellim do të jetë e fokusuar në një Europë sociale. Për sa i përket marrëdhënieve me jashtë ne do të rifillojmë bisedimet politike dhe ekonomike me Indinë dhe do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë marrëdhënies tonë me kontinentin më të afërt që është Afrika.”
Kjo është hera e katërt që Portugalia do të marrë presidencën e Këshillit Europian, që kur u bë pjesë e BE-së në vitin 1986. Hera e fundit u mbajt edhe samiti i Lisbonës midis Europës dhe Afrikës. Kosta paralajmëroi për një tjetër gjatë 6 muajve të ardhshëm.
“Gjatë presidencës tonë me shumë mundësi do të finalizojmë edhe marrëveshjen Kotonou, një marrëveshje bashkëpunimi midis Bashkimit Europian dhe shteteve nga Karaibet, ato të Oqeanit Paqësor dhe Afrikën. Gjithashtu do të përgatitemi edhe për mbajtjen e samitit midis dy kontinenteve, Europës dhe Afrikës”
Objektivat e BE janë përparimi drejt një ekonomie dixhitale dhe të gjelbër, por rrugëtimi pritet të jetë i vështirë për shkak të Brexit dhe pandemisë COVID-19.
Portugalia merr presidencën pas Gjermanisë, e cila nuk arriti të çonte përpara objektivat e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare.