Portugalia rivendosi të enjten shtetrrethimin gjatë natës në disa komuna portugeze, duke përfshirë Lisbonën dhe Porton, për shkak të numrave në rritje të infektimeve me variantin indian të Covid-19, Delta, njoftoi qeveria portugeze sipas Reuters.
Shtetrrethimi nisi në orën 23:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit, dhe do të jetë në fuqi në 45 komuna me rrezik të lartë.
Rastet në Portugali u rritën me 2,449 të enjten, rritja më e madhe që nga mesi i shkurtit. Sidoqoftë, vdekjet ditore si pasojë e koronavirusit mbetet shumë nën nivelet e shkurtit.
Rastet e reja po raportohen kryesisht tek të rinjtë e pavaksinuar. Autoritetet po përshpejtojnë fushatën e vaksinimit për të luftuar valën e tretë, tek të rinjtë e moshës 18 deri në 29 vjeç.
Njerëzit që jetojnë në zonën metropolitane të Lisbonës, ku janë përqendruar shumica e rasteve të reja, duhet të paraqesin një test negativ të koronavirusit ose një çertifikatë vaksinimi për t’u larguar ose hyrë në rajon gjatë fundjavës.
Në të gjithë 45 komunat ku do të zbatohet ora policore, puna në distancë është e detyrueshme, restorantet dhe kafenetë duhet të mbyllen në orën 22:30.
Në 19 nga 45 bashkitë, përfshirë Lisbonën dhe Albufeira ku rreziku i infektimit është “shumë i lartë”, restorantet, kafenetë dhe dyqanet jo-ushqimore duhet të mbyllen në 15:30, gjatë fundjavës.
Në total, Portugalia, e cila ka vaksinuar plotësisht rreth 31% të popullsisë së saj, ka regjistruar 882,006 raste dhe 17,101 vdekje që nga fillimi i pandemisë.