PPP me dinakëri për spitalet publike – Rama shton propagandën për të justifikuar skemën korruptive

Nga Alice Elizabeth Taylor
PPP me dinakëri për spitalet publike – Rama shton propagandën për të justifikuar skemën korruptive

Në dy artikujt e mëparshëm i gjeni (këtu dhe këtu) kemi shkruar për historinë se si kompania Steward Healthcare po kërkon të marrë me PPP, spitalet publike në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi përmes një skeme mashtrimi dhe korrupsioni.

Kompania Steward Healthcare, e cila po përpiqet të përfshihet në PPP-të e shëndetësisë në Shqipëri, dyshohet se ka kërkuar fonde të tjera nga buxheti i shtetit maltez me ndihmën e ish-Kryeministrit të Maltës Joseph Muscat.

Media malteze ka raportuar se Muscat, i cili dha dorëheqjen — pasi u zbulua se ai dhe ministrat e tij ishin të lidhur me vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia — ka lobuar tek qeveria e re për t’i dhënë më shumë para nga buxheti i shtetit kompanisë Steward Healthcare.

Muscat raportohet se i ka kërkuar kryeministrit të ri të rinegociojë kontratën e PPP-ve të spitaleve që Steward Healthcare bleu nga Vitals Global Health (VGH). Vitals Global Health fitoi koncesionin për të drejtuar tri spitale shtetërore të Maltës. Vlera e koncesionit ishte 7 miliardë euro, dhe kompania përfitoi mbi 50 milionë euro para nga taksapaguesit. Por, çuditërisht kjo kompani, pas marrjes së koncesionit, deklaroi se ishte drejt falimentimin. Ajo ia shiti koncesionin për vetëm 1 Euro kompanisë Steward Healthcare. Të dyja kompanitë kanë të njejtët investitorë dhe aksionerë.

Kjo marrëveshje dhe ministrat e përfshirë në negociimin e saj tani po hetohen penalisht për pastrim parash, mashtrim dhe organizimin e skemave të rryshfetit – ku çmimi i një kontratë publike fryhet artificialisht në mënyrë që zyrtarët e lartë të marrin mbrapsht një pjesë të parave.

Ndërkohë, historia vazhdon të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Shaukat Ali Ghafoor, një nga aksionerët e kompanisë ka vizituar disa herë Shqipërinë për t’u takuar me zyrtarë të lartë të qeverisë, dhe tani i ka hedhur sytë në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Edi Rama, në bashkëpunim me Muscat, ndihmuan në vazhdimin e negociatave mes kompanisë Steward Healthcare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke realizuar kështu ëndrrën e Ghafoor për të bërë një marrëveshje për marrjen me PPP të spitaleve të të gjithë vendeve të Ballkanit.

Në vitin 2018, Muscat vizitoi Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me Kryeministrin e atëhershëm Zoran Zaev, i shoqëruar nga përfaqësues të kompanisë Steward Healthcare. Diskutimet u përqëndruan rreth eksplorimit të një modeli të ngjashëm partneriteti publik-privat në Maqedoni, që më parë është zbatuar dhe ka dështuar në Maltë,.

Në të njëjtin vit, Zaev vizitoi Maltën për tu takuar në fshehtësi me Muscatin dhe Ghafoorin për të diskutuar më tej planet. Për këtë takim nuk u bë asnjëherë asgjë publike, por gazetarja e Exit News ka parë fotografi që vërtetojnë se takimi është zhvilluar.

Dorëheqja e Zaevit duket se ngadalësoi bisedimet, por me ndihmën e Ramës, Ghafoori shpreson se plani i tij për të marrë në duar pasuritë e paluajtshme të Ballkanit dhe natyrisht paratë e taksapaguesve, do të jetë i frytshëm. Gjithsesi në rast se Zaev nuk fiton sërish, e ardhmja e kësaj skeme e destinuar të dështojë, vihet në rrezik.

Në Shqipëri, Kryeministri Rama e përmendi idenë e PPP-ve në shëndetësi dhe gjatë përurimit të fundit të ambienteve të kirurgjisë në QSUT në Tiranë. Ai i tha pacientëve të pranishëm se projekte të suksesshme si ky u bënë të mundur vetëm për shkak të “modelit të mallkuar të PPP”.

Rama më pas theksoi se përmirësime të tjera në institucionet shëndetësore nuk do të bëhen me para nga buxheti apo fondi i tërmetit, por përmes investimeve private:

“Nëse sot ne kemi kapacitetin për të furnizuar spitalet, kjo është si pasojë e investimeve të privatit. Privati investon para që shteti nuk i ka në atë moment. Shtetit shlyen. Si mundet të ndërpritet ky program, kjo marrëveshje, ky proces?!

Këto deklarata vijnë pak kohë pasi qeveria Rama ka propozuar një projektligj, i cili lejon spitalet private të bëhen pjesë e shërbimit kombëtar spitalor, duke përfituar kështu nga fondet shtetërore, si dhe paratë e siguruara nga partneritetet publike-private.

Neni 23 i projektligjit parashikon se “spitalet jopublike marrin fonde publike përmes financimit të paketave të shërbimit të detyrueshëm të sigurimit shëndetësor”, si dhe nga “partneritetet publike-private”.

Projektligji u propozua pas një rrjeti kompleks Memorandumesh Mirëkuptimi të nënshkruara midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe Malit të Zi dhe kompanisë VGH, e më pas Steward Healthcare.

Në vitin 2016, qeveria malazeze nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Vitals Global Healthcare (VGH). Menjëherë pas kësaj, investitori i VGH-së, Shaukat Ali Abdul Gafoor udhëtoi nga Mali i Zi për në Shqipëri në janar 2017, për të negociuar një marrëveshje të ngjashme me qeverinë shqiptare.

Disa muaj më vonë, në prill, Ministria e Shëndetësisë malazeze nënshkroi një memorandum me Ministrinë shqiptare të Shëndetësisë për të forcuar bashkëpunimin midis “organizatave që veprojnë në fushën e shëndetit në të dy vendet”. Kjo marrëveshje ishte për dy vjet, por e rinovueshme automatikisht për dy vite të tjera, deri në një afat të pacaktuar.

Pak muaj pas memorandumit, në Maltë, Vitals Global Health falimentoi, pavarësisht se mori një koncesion për të drejtuar tri spitale shtetërore, me vlerë 7 miliardë euro, dhe përfitoi mbi 50 milionë euro para nga taksapaguesit. Koncesioni miliarda eurosh u mor më pas nga Steëard Healthcare, për çmimin e volitshëm prej vetëm 1 euro.

Pas blerjes së koncesionit, Steward Healthcare nënshkroi memorandum me Malin e Zi, ndërkohë që memorandumi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë është ende në fuqi.

Po kush janë personazhet që qëndrojnë pas marrëveshjes?

Shaukat Ali Abul Ghafoor është një manjat biznesi që bëri emër dhe e vuri pasurinë e tij në Libi. Me nënshtetësi pakistaneze, ai bleu një pasaportë maltese e cila e ndihmoi atë të lëvizë midis vendeve pa rënë në sy dhe disi nën radar. Pronar i kompanive të panumërta guackë të krijuara për të marrë pagesa nga shitja e koncesionit në Maltë, ai ka preferuar të qëndrojë jashtë vëmendjes, dhe vë Sri Ram Tumulurin si  fytyrën publikë të  shumë negociatave.

Sri Ram Tumuluri, i cili ka vizituar edhe Shqipërinë disa herë në dy vitet e fundit, ka një reputacion aspak pozitiv. Në Kanada, ai është i njohur për drejtimin e një hoteli liqenor në British Columbia në vetëm 18 muaj. Bashkëpunëtorët e mëparshëm e përshkruajnë atë si një mashtrues i cili çon drejt dështimit gjithçka që prek. Është zbuluar se ai gjithashtu ka krijuar kompani për të marrë pagesa nga shitja e VGH-së te Steward Healthcare dhe menjëherë filloi mbylljen e tyre pasi çështja të bëhej objekt i një hetimi në Maltë.

Sipas një burimi të fshehtë për detajet e negociatave, qeveria shqiptare është e gatshme të vazhdojë bisedimet  me Ghafoorin dhe Tumulurin, por ajo që do të ndodhe në Maqedoninë e Veriut mbetet për tu parë. Një gjë është e sigurt – nëse sistemi shqiptar i shëndetësisë bie në duart e këtyre ‘investitorëve’, është fare e qartë se personat e vetëm që do të përfitojnë janë ata që janë të përfshirë në marrëveshje dhe jo pacientët ose tatimpaguesit.

Ky artikull u punua me mbështetjen e Journalismfund.eu.

Në bashkëpunim me The Shift News.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>