Pragu i TVSH-së i Shqipërisë i treti më i larti në Evropë

Nga Exit News
Pragu i TVSH-së i Shqipërisë i treti më i larti në Evropë

Prag zgjedhjesh, është koha koha kur të pushtetshmit i zë dashuria për të vegjlit.

Kryeministri dhe kryetari i opozitës janë në garë për të treguar se kush kujdeset më shumë për bizneset e vogla, duke ju ulur taksat. Të dy predikojnë përditë se plani i tyre është shpëtim e mirëqenie për biznesin dhe vendin.

Po a janë gjërat kaq të thjeshta sa i bëjnë ata, këtë e sqaroi sot, në emisionin ‘Me pak fjalë’, në Euronews, Neritan Sejamini.

Të dyja palët kanë propozuar heqje dhe ulje të taksave për biznesin e vogël. Qeveria Rama vendosi zero taksa për biznesin duke nisur nga 1 janari i 2021, ndërsa Basha premtoi taksa sa 0,5 % e xhiros vjetore.

Por propozimet e të dy palëve kanë edhe një pikë tjetër, që ndoshta është ajo me pasojat ekonomike më të mëdha të pritshme:

Të dyja palët kanë propozuar rritjen e pragut të pagimit të TVSH-së nga bizneset:

Qeveria e ka rritur pragun nga 8 milionë sa është tani në 10 milionë lekë nga janari 2021.

PD premton ta rrisë në 14 milionë lekë nëse vjen në pushtet.

Pragu 10 milionë lekë që do zbatohet në janar është një nga tre më të lartët në Europë.

Ndërsa ai i propozuar nga PD prej 14 milionë lekë do të jetë më i larti në Evropë.
Bizneset e vogla do të jenë më të lumtura me propozimin e PD-së se me të PS-së, duke prreferuar të mos paguajnë TVSH.

Por të dyja nivelet janë të larta dhe ngrenë një shqetësim të madh: evazionin fiskal.

Përjashtimet nga taksat dhe kufijtë e ndryshëm të taksave janë gjithmonë mundësi për evazion.

Prandaj ekonomitë evropiane, dhjetëra dhe qindra herë më të mëdha se tonat, kanë prag më të ulët TVSH-je se sa do kemi në janar apo nëse vjen PD në pushtet.

Sot, Shqipëria është vendi që mbledh më pak taksa në Europë: ne kemi nivelin më të ulët të të ardhurave tatimore në raport me prodhimin e vendit.

Me politikën e re të të tatim-fitimit dhe të TVSH-së mundësia për evazion do të rritet dhe mund të pritet që të ardhurat do të goditen ndjeshëm.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>