Qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian që janë vaksinuar kundër COVID-19 do të mund të udhëtojnë pa kufizime pas 1 korrikut.
Nga e marta, shtetet anëtare do të jenë në gjendje të lëshojnë një pasaportë dixhitale COVID për qytetarët që provojnë se janë vaksinuar.
Deri në 1 korrik të 27 vendet anëtare kanë kohë të miratojnë vendimin për të pranuar pasaportën COVID si dokument të mjaftueshëm për të lejuar qytetarët të udhëtojnë pa kufizime.
Një test negativ ose provë se jeni rikuperuar nga COVID-19 do t’i japë gjithashtu qytetarëve të drejtën e udhëtimit pa kufizime.
Komisioni Evropian ka propozuar që testet PCR duhet të jenë kryer 72 orë para udhëtimit ndërsa testet e shpejta 48 orë para.
Fëmijët e atyre që janë plotësisht të vaksinuar gjithashtu do të përjashtohen nga karantina dhe askush nën moshën gjashtë vjeç nuk do të ketë nevojë të bëjë një test. Disa vende ka të ngjarë të vendosin një prag më të lartë moshe për testimin e të miturve.
Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, shkroi në Twitter:
“Evropianët duhet të shijojnë një verë të sigurt dhe relaksuese. Ndërsa vaksinimi përparon, ne propozojmë që të lehtësojmë masat e udhëtimit në një mënyrë të koordinuar me mjetin tonë të përbashkët: pasaportën digjitale të BE-së. Do të sjellë qartësi dhe parashikueshmëri ndërsa rifillojmë udhëtimin pa kufizime në BE ”.
Përveç heqjes së karantinës për të vaksinuarit nga 1 korriku, KE ka propozuar që kushdo që vjen nga një rajon “i gjelbër” i BE-së, duhet të lirohen plotësisht nga kufizimet.
Ata që nuk janë plotësisht të vaksinuar që vijnë nga një zonë “portokalli”, do të duhet të bëjnë një test para nisjes.