Presidenca ka akuzuar Kuvendin se ka rrëzuar në seancën e sotme 10 dekrete të presidentit Meta për reformën në drejtësi, pa dhënë argumente juridike por duke u mjaftuar me “retorikë politike dhe gjuhë përbaltëse”.
Kuvendi vendosi të rrëzojë sot në seancën plenare 10 dekrete të presidentit Meta, që kishin kthyer për rishqyrtim në Kuvend 10 ligje, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, si Ligji për Gjykatën Kushtetutese, Ligji për organizimin e gjyqësorit, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale.
Këshilltari për Çështjet Ligjore në Presidencë, Bledar Dervishaj, u shpreh në një deklaratë për shtyp se përmes këtyre ligjeve qeveria ka ndryshuar “thelbësisht reformën në drejtësi”.
Dervishaj deklaroi se përmes këtyre ligjeve, ndryshohet reforma në drejtësi që u miratua në vitin 2017. Ai akuzoi qeverinë po synon të mbulojë paligjshmëritë në implementimin e reformës në drejtësi gjatë këtyre 4 viteve.
Këshilltari juridik i presidentit tha se ligjet e miratura nga Kuvendi në mars dhe që u kthyen për rishqyrtim nga presidenti gjatë muajit prill, janë bërë duke shkelur procedurat e parashikuara në ligj dhe Kushtetutë, pa transparencë dhe cënojnë besimin tek reforma në drejtësi pasi e ndryshojnë atë në mënyrë të njëanshme.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kërkoi sot në Kuvend që të rrëzohen dekretet e presidentit Meta për paketën e ligjeve të Reformës në Drejtësi pasi ato bazohen në komente subjektive dhe jo argumente juridikë.