Presidenti turk Erdoğan mendon se turqit në Evropë po diskriminohen dhe po trajtohen në mënyrë të padrejtë. Për këtë problem ai ka propozuar lindjen e sa më shumë bebeve turke nga familjet që kanë emigruar në shtetet evropiane.
Duke folur gjatë një mitingu, presidenti turk u shpreh se turqit duhet ta shohin si arritje krijimin e familjeve të mëdha turke në Evropë.
“Shkoni jetoni në lagjet më të mira. Ngisni makinat më të mira. Jetoni në shtëpitë më të mira. Bëni jo tre, por nga pesë fëmijë. Sepse ju jeni e ardhmja e Evropës. Kjo do të jetë përgjigjia më e mirë e padrejtësive që po bëhen ndaj jush!”
Duket se Presidenti Erdoğan ka gjetur mënyrë për t’i hedhur benzinë zjarrit pikërisht këto ditë kur marrëdhëniet turko-evropiane nuk janë në gjendje të mirë. Presidenti turk po bën aktualisht një tur nëpër Turqi në mbështetje të referendumit për ndryshimet kushtetuese që do t’i japin presidentit më shumë pushtet.
Prej ditësh, Erdoğan po akuzon Gjermaninë si “naziste” pasi në disa qytete gjermane janë anuluar tubimet në mbështetje të tij. Fundjavën e kaluar ai akuzoi dhe autoritetet holandeze si “mbetje naziste” pasi në Holandë nuk u lejuan që ministrat turkë të bënin fushatë pro referendumit propozuar nga Erdoğan.
Presidenti Erdoğan shpreson se duke sulmuar Evropën dhe duke luajtura me ndjenjat anti-turke, do të nxisë ndjenjat e nacionalistëve turkë dhe do të marrë më shumë mbështetje për referendumin e tij.