Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker i rikujtoi sot vendeve të Ballkanit se nuk do të ketë anëtarësime në BE vetëm për hir të premtimeve për data të caktuara.
Për Shqipërinë, Presidenti Juncker tha se nevojitet luftimi i krimit të organizuar, e veçanërisht lëndëve narkotike që janë bërë shqetësuese dhe për vendet e tjera.
Gjatë një interviste për Deutsche Welle, Zoti Juncker u shpreh:
“Atje [në Shqipëri] duhet të arrijmë shumë përparime, sepse hasemi intensivisht me kriminalitetin e organizuar brenda vendit dhe si një lëndë eksporti jashtë vendit.
Gjatë turit në Ballkan, unë nuk premtova data anëtarësimi dhe as nuk do ta bëj këtë në ditët e ardhshme,as për vendet që ndërkohë janë duke negociuar për anëtarësimin. E gjitha varet nga substanca dhe jo nga përfytyrimet kalendarike. Mua më interesojnë afatet, por jo që prej tyre të harrohet thelbësorja.
Unë nuk mund ta parashikoj nga këndvështrimi i sotëm se si do të jenë rekomandimet [në prill], sepse duhen bërë përparime thelbësore. Ne do të na duhet të verifikojmë që tani deri në prill, nëse do të ketë përparime të mjaftueshme substanciale.
Ndër këto kushte [për marrjen e rekomandimit pozitiv] bën pjesë edhe zgjidhja e të gjitha konflikteve kufitare në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ne nuk mund t’i importojmë brenda BE-së konfliktet kufitare.
Unë e di që shumë këtu [në Ballkanin Perëndimor] po e humbasin durimin, kryesisht të rinjtë. Ka shumë shqiptarë, maqedonas, serbë që shkojnë drejt pjesës tjetër të Europës, sepse këtu nuk shohin më perspektivë.
Ky emigracion i inteligjencës rajonale nuk është as në interesin e vendeve dhe as në interesin e BE-së. Ballkani ka nevojë për një perspektivë të sigurtë europiane. Por së pari duhet substanca e pastaj kalendari.”
Aktualisht kreu i KE Juncker së bashku me Eurokomisionerin për Zgjerim Hahn ndodhen për një tur vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor.