
Presidenti i PE, David Sassoli dhe Kreu i Këshillit të BE, Charles Michel përkrahën zgjerimin e unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë.
Gjatë fjalimit të tij Sassoli kërkoi që procesi i zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor të jetë sa më i shpejtë dhe me “energji të re”.
Sassoli tha se Bashkimi Evropian nuk duhet që të vonohet në procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tij, shtete të tjera mund të rrisin ndikimin në këtë rajon.
Ai kërkoi mbështetjen e Sllovenisë e cila ka presidencën e BE për të çuar para këtë proces me të gjitha vendet e rajonit.
Ndërsa Michel theksoi se zgjerimet i kanë bërë vetëm mirë BE-së.
“Ne e dimë që BE është e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor, por njësoj është i rëndësishëm edhe Ballkani Perëndimor për BE-në”, tha Michel.