Më 2 dhe 3 dhjetor Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli do të vizitojë Shqipërinë. Vizita është konfirmuar nga vetë Zoti Sassoli, i cili më 4 dhe 5 nëntor do të udhëtojë fillimisht në Maqedoninë e Veriut.
David Sassoli u zgjodh në krye të PE më 3 korrik dhe kjo pritet të jetë një nga vizitat e tij të para në Ballkan. Ai zëvendësoi në detyrë Antonio Tajanin. Presidenti i PE ka 2 vite e gjysmë mandat dhe përfaqëson Parlamentin në arenën ndërkombëtare dhe në institucionet e tjera të BE.
Duke njoftuar për vizitën, Sassoli tha:
“E dimë që popullsia e të dy vendeve (Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut) është thellësisht e zhgënjyer nga dështimi i Këshillit për të rënë dakord për nisjen e bisedimeve, kjo për shkak të vetos së disa vendeve anëtare. Ne (PE) e kuptojmë dhe ndajmë të njëjtin zhgënjim”
Sassoli theksoi se PE ka garantuar mbështetje të plotë për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai i kërkoi rinisë shqiptare dhe verio-maqedone që të mos i humbin shpresat, por të mbeten te vizioni drejt BE-së. Presidenti i PE këmbënguli se “Parlamenti nuk do të qëndrojë i heshtur, por do t’i kërkojë BE-së të marrë një vendim në favor të të dy vendeve në mbledhjen e ardhshme”.
Gjatë vizitës më 4 dhe 5 nëntor në Maqedoninë e Veriut, Presdenti i PE do të takojë Kryeministrin në largim Zoran Zaev, Presidentin Stevo Pendarovski dhe Kryetarin e Parlamentit Telat Xhaferri. Në Shkup, Zoti Sassoli pritet të hapë “Shtëpinë e Evropës” dhe të marrë pjesë edhe në disa aktivitete me studentë.
Vizita e Sassolit vjen pak ditë pasi në Maqedoninë e Veriut u ra dakord që më 12 prill të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet u kërkuan nga vetë Kryeministri Zaev, i cili mori përgjegjësitë për mungesën e hapjes së negociatave.
Në Shqipëri situata është ndryshe. Qeveria ka këmbëngulur se ka plotësuar kushtet e hapjes së negociatave ndërsa opozita ka kërkuar largimin e saj. Në një krizë të thellë politike dhe kushtetuese, palëve u është kërkuar reformimi i sistemit zgjedhor, që deri më tani nuk është nisur ende, pasi opozita ka vendosur kushte ndërsa Kryeministri ka këmbëngulur se do ta miratojë edhe pa opozitën.
Nga drejtuesit e vendit Sassoli ka patur më parë takim me Kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi. Më 24 tetor PE miratoi një rezolutë, e cila mbështeste Shqipërinë dhe Maqedoninë për hapjen e negociatave. Ajo i kërkoi BE-së që të mos pengojë dy vendet, pavarësisht vendimit për të reformuar procesin integrues.