Presidenti Ilir Meta deklaroi se Gjykata Kushtetuese do punë që të bëhet tërësisht funksionale.
Gjatë një bisede me gazetarët Meta u shpreh se ai ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend, ku sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por ka ende punë për të pasur një gjykatë plotësisht funksionale dhe për Presidentin funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbësore. Ky është një proces që vazhdon, ne të gjithë duhet të ndjekim e monitorojmë funksionimin e kësaj gjykate dhe vendimmarrjen e saj.”
Meta u shpreh se nuk ka asnjë tërheqje nga ana e tij në lidhje me Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e presidentit sa i takon kushtetutshmërisë së procesit. Ky proces ka pasur dhe ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe shumë aspekte të tjera. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza apo përplasja mes Presidentit me Parlamentin dhe ish-kreun e KED është e pavend, pasi në atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe mafioze një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që i takonte Presidentit, për ta marrë mazhoranca.”