Presidenti Meta u shpreh sot i gatshëm të ulet në bisedime me Kryeministrin Rama dhe opozitën për të negociuar datën 13 tetor për zgjedhjet e ardhshme.
Si përgjigje ndaj Ramës që dje deklaroi se 13 tetori është një e dielë e zakonshme, Presidenti Meta deklaroi:
“Jam fleksibël ta rishikoj 13 tetorin. Për mua ka rëndësi 17-18 tetori. Atë nuk kam mundësi ta shtyj.”
Duke folur për gazetarët, presidenti deklaroi se më datë 17-18 tetor Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë vendimin për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë, ndaj është e rëndësishme që deri atëherë të jenë zhvilluar zgjedhje me standarde europiane:
“Nuk çelen negociatat me qoka ndërkombëtare, por vetem me standarde.”
Meta përsëriti ftesën për dialog ndaj partive politike:
“Nëse duan zgjidhje janë të mirëpritur në presidencë. Në cdo moment i pres me shpresë për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme sepse përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet.”
Në fund të deklaratës Meta përsëriti qëndrimin e tij se më 30 qershor ‘nuk ka pasur zgjedhje ligjore dhe kushtetuese’, ndaj duhet vendosur sa më parë për një datë të re.