Presidenti Meta sqaron 8 veprimet e qeverisë që çuan në grushtin e shtetit

Nga Exit News
Presidenti Meta sqaron 8 veprimet e qeverisë që çuan në grushtin e shtetit

Presidenti Ilir Meta ka sqaruar për qytetarët vendimet dhe veprimet e qeverisë Rama të cilat sipas tij, përbëjnë grusht shteti.

Përmes një statusi në Facebook, presidenti Meta sqaron ‘8 hapat e grushtit të shtetit’ që nga vjedhjet e votave në Dibër e Durrës përmes personave me të shkuar kriminale e deri tek paketa kundër krimit Anti-KÇK apo ndryshimet ligjore për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Meta paditi në SPAK dhe minsitren e Drejtësië Etilda Gjonaj, si pjesë e grushtit të shtetit, padi që e kishte paralajmëruar disa ditë më parë.

Në fund Meta fton qytetarët që më 2 mars t’i bashkohen në tubimin kundër qeverisë:

Hapi i parë
Vjedhja e zgjedhjeve të 2017-ës, duke përdorur çunat problematikë, sipas dosjeve 184 të Dibrës dhe 339 të Shijakut, që lëvizin si top ping-pongu nga një zyrë e prokurorisë në tjetrën.

Hapi i dytë
Kapja në mënyrë anti-kushtetuese e Prokurorisë me 69 vota (nga 84 vota të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me unanimitet me 140 vota), dhe bashkë me të edhe hetimin për të siguruar pandëshkueshmërinë totale të tyre.

Hapi i tretë
Provokuan braktisjen e Parlamentit nga opozita dhe vrapuan për të zëvendësuar 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës, në mënyrë anti-kushtetuese e të paligjshme, vetëm me një akt administrativ. Edhe sot pas një viti, Parlamenti është në gjendje të rëndë anti-kushtetuese (122 deputetë me letra nga 140 që kërkon Kushtetuta).

Hapi i katërt
Përmes Parlamentit monist miratuan Rezolutë kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për zgjedhjet e 30 qershorit. 
Organizuan zgjedhje të paligjshme njëpartiake, kapën 100% pushtetin lokal dhe të 61 Bashkitë u bënë moniste, bashkë me Këshillat e tyre.

Hapi i pestë
Miratuan KÇK për të asgjësuar totalisht drejtësinë e për ta futur plotësisht në thundrën e qeverisë dhe të policisë, për të mbyllur çdo mundësi për ndëshkimin e kriminalizimit dhe korrupsionit të Rilindjes, si dhe për të përgjuar në mënyrë mafioze e të paligjshme këdo që i denoncon dhe thotë të vërtetat për ta.

Hapi i gjashtë
Për të kapur përfundimisht median dhe AMA-n, miratuan ligjin e ashtuquajtur “Anti-shpifje”, megjithëse Këshilli i Europës ishte totalisht kundër, aq sa u detyrua që po vetë ta çojë në Komisionin e Venecias.

Hapi i shtatë
Tentativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet falsifikimeve, mashtrimeve dhe shkeljes së Kushtetutës e ligjit nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke bërë pjesë të grushtit të shtetit të gjithë institucionet e kapura totalisht nga qeveria. Ky hap kishte për qëllim asgjësimin përfundimtar, jo vetëm të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, por edhe të çdo mundësie për llogaridhënie në Republikën e Shqipërisë, duke vënë në pikëpyetje edhe sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Hapi i fundit
Miratimi anti-kushtetues i ligjit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (pa pritur Komisionin e Venecias që e kërkuan vetë), për të futur si anëtarë të saj Dvoranët, Artat dhe Etildat e Rilindjes.
Më pas u ka mbetur edhe hapi final: shkarkimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me porosi të UDB-së, për të zgjedhur një President me “Etikë” që të lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër anti-kombëtar.”

Exit News ka sqaruar më parë këtu të gjithë vendimet e qeverisë të cilat Presidenti Meta i quan pjesë të grushtit të shtetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>