Presidenti Meta ka uruar Vitin e Ri duke u bërë thirrje shqiptarëve për bashkim, punë dhe të marrin në dorë fatet e tyre.
Presidenti e nisi urimin e tij me një mesazh mirënjohjeje për mjekët dhe infermierët si dhe një homazh për ata që humbën jetën në krye të detyrës.
“Mirënjohje të pakufishme për mjekët, infermierët dhe të gjithë ata, që gjenden edhe sot, në vijën e parë të luftës kundër kësaj pandemie. Në veçanti, ky është çasti për të bërë një homazh për mantelbardhët tanë të paharruar, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës.”
Sfidat për vitin e ardhshëm janë rikthimi i lirive të munguara, shpresës dhe besimit sipas presidentit, i cili kërkoi më shumë punë dhe përpjekje për ringritjen e vendit.
“Le të bashkohemi dhe të punojmë më shumë, duke u ardhur në ndihmë veçanërisht njerëzve që kanë më shumë nevojë. Të përpiqemi me të gjitha forcat të ringremë ekonominë kombëtare, t’u krijojmë të rinjve mundësi të reja dhe punë, për të rimarrë në dorë fatet tona me dinjitetin e liritë e merituara, për të rikthyer shpresën dhe besimin. Vitaliteti i jashtëzakonshëm dhe dashuria për familjen dhe Atdheun e kanë mbajtur gjallë kombin tonë dhe do t’i japin Shqipërisë sonë të dashur edhe të ardhmen e ndritur europiane që meriton. Të dashur shqiptarë kudo që ndodheni, Ju uroj nga zemra, një Vit të Ri të shëndetshëm, të lumtur dhe të begatë”.