Presidenti slloven diskuton integrimin dhe Kosovën me homologun Vuçiç

Nga Exit News
Presidenti slloven diskuton integrimin dhe Kosovën me homologun Vuçiç

Presidenti slloven, Borut Pahor udhëtoi të premten drejt Beogradit për t’u takuar me homolohun serb, Aleksander Vuçiç.

Takimi i paraprin samitit të Brdo Brijonit në 17 maj, një nismë e presidentëve kroat dhe slloven për të nxitur bashkëpunimin rajonal.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Pahor përsëriti qëndrimin se shpreson që në samit vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë t’i dërgojnë një mesazh të përbashkët BE-së.

“Nëse të hënën jemi të bashkuar dhe këtë mesazh e dërgojmë në Bruksel, do të ishte një vlerë e shtuar për procesin e zgjerimit të BE-së. Pres bisedime të hapura dhe konstruktive, pavarësisht dallimeve në qëndrime,” citohet të ketë thënë Pahor nga Radio Evropa e Lirë.

Po ashtu ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian të përshpejtojë integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor.

Vuçiç nga ana e tij u shpreh se vendet duhet të vlerësohen nga BE në bazë të progresit individual, por se Serbia përkrah aplikimin e një qasje gjeopolitike ndaj rajonit.

Përsa i përket negociatave me Kosovën, ai u shpreh se konflikti nuk u duhet lënë trashëgim brezave, por la të kuptohej se pozicioni i Serbisë varet edhe nga pala kosovare.

“Ne besojmë se asnjë konflikt i ngrirë nuk është i mirë. Nuk duhet t’ua lëmë problemet brezave të ardhshëm, por të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Mirëpo, sigurisht, duhen gjithmonë dy persona për të kërcyer tango”, deklaroi Vuçiç.

Pahor takoi një ditë më parë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila bëri të qartë se vendi po përgatit padinë për gjenocid ndaj Serbisë dhe se bisedimet do të kushtëzohen nga gatishmëria për të gjetur personat e zhdukur gjatë luftës.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>