Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të drejtojnë rinisjen e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Në një konferencë për shtyp, Thaçi foli për takimin me presidentin serb Vuçiç në SHBA këtë të hënë, dhe tha se ka marrë garanci nga SHBA-të për përfshirjen e saj në dialog:
“Me ftesë të Zotit Grenell, jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ky takim është i rëndësishëm për disa arsye, shënon rikthimin e fuqishëm të SHBA-së në procesin e kërkimit të arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi.
Është një sukses historik, takimi shënon gatishmëri për të vazhduar procesin pas një shtangimi prej një viti e më tepër. Takimi e lehtëson apo mund të bëjë më të afërt arritjen e një marrëveshje.”
Presidenti Thaçi shprehu besimin se Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës, megjithëse nuk ka marrë një premtim konkret për këtë gjë:
“Njohja reciproke me Serbinë do të ndodhë. Do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe do të miratohet në Kuvend.
Nuk ka pasur diçka që është ofruar në mënyrë substanciale. Por ishe zotimi i SHBA për të vijuar arritjen e marrëveshjes.”
Thaçi u shpreh se nga takimet në Departamentin e Shtetit Amerikan ka marrë premtimin se në Kosovë do të investohen miliona dollarë, sapo të arrihet marrëveshje me Serbinë:
“Në selinë e departamentit të shtetit më kanë treguar edhe për qindra milionë dollarë të gatshëm për investim në Kosovë porsa të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.”