Diplomacia e administratës së SHBA-ve në Kosovë dhe presioni që çoi në rrëzimin e qeverisë vazhdon të tërheqë kritika nga ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kurt Bassuener dhe Bodo Weber, ekspertë në organizatën Këshilli i Politikave për Demokratizim, me qendër në Berlin, në një artikull të fundit pohojnë se SHBA-të “shkaktuan rënien e një qeverie me mbështetje popullore dhe premtuese për reformat e saj”.
I dërguari special i SHBA-ve për negociatat Kosovë-Serbi Richard Grenell çoi jo vetëm në rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit , por edhe në rënien e besueshmërisë së Amerikës në Ballkan dhe në një thellimin e mosmarrëveshjeve mes SHBA-ve dhe BE-së, sipas autorëve.
Ata shkruajnë se një ditë para votimit për mocionin e mosbesimit kundër Kurtit, ambasadori amerikan në Kosovë e mbështeti publikisht mocionin. Kështu, SHBA-të u ndanë nga ‘fronti i bashkuar’ me grupin e ashtuquajtur “Kuinti” (SHBA, Britani, Gjermani, Francë e Itali), pavarësisht se një ditë më parë kishin nxjerrë një deklaratë të përbashkët që kërkonte ruajtjen e integritetit të qeverisë, në mënyrë që ajo të përballej siç duhej me krizën e virusit.
Bassuener dhe Weber shkruajnë se politika strategjike amerikane në Ballkan gjatë dy dekadave të fundit pësoi një thyerje të beftë në vitin 2018, kur administrata amerikane mbështeti një marrëveshje të mundshme për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që po arrihej nga presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç.
Kundërshtimi i disa vendeve të BE-së, me në krye Gjermaninë, ndaj ndryshimeve të kufijve në Ballkan ia shuajti shpresat protagonistëve të planit për realizimin e marrëveshjes.
Autorët shpjegojnë se bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve bëri që Kryeministri Ramush Haradinaj të vendoste një tarifë 100 për qind për mallrat serbe në nëntor 2018. Tarifa ndaloi negociatat Kosovë-Serbi ndërsa SHBA-të nisën presionin ndaj Kosovës për të hequr tarifën.
Bassuener dhe Weber shprehen se Grenell shfrytëzoi largimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila po drejtonte negociatat mes Thaçit dhe Vuçiçit, për ta marrë ai drejtimin dhe për të bërë “ca punë për politikën e brendshme” të SHBA-ve.
Ndërsa shërbente edhe si ambasador në Gjermani, Grenell punoi me presidentët e Kosovës dhe Serbisë pa praninë apo dijeninë e partnerëve evropianë.
Kurti shpalli planin e tij për të hequr gradualisht tarifat, në pritje që Serbia të hiqte pengesat tregtare jo-tarifore dhe të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve, dhe kjo u mmbështet ngs BE-ja. Por Grenelli hoqi dorë fare nga kërkesa që Beogradi të ndalte fushatën kundër Kosovës dhe nisi të kërcënojë Kosovën se SHBA-të do të ndalnin mbështetjen financiare dhe ushtarake për të.
Pasojat e një marrëveshjeje siç e kërkon Grenelli mund të jenë shkatërruese për Kosovën dhe rajonin, por ndërkohë përpjekjet e tij e kanë dëmtuar rëndë reputacionin dhe besueshmërinë në rajon ndaj Akerikës.
Këto manovra rrezikojnë partneritetin transatlantik, sigurinë evropiane dhe krijojnë ndjenjën e justifikuar se Kosova, “mbase vendi më pro-amerikan në botë”, është tradhëtuar, përfundojnë Bassuener dhe Weber.