Historia nisi dy vjet më parë, kur Drejtoria e Doganave organizoi një takim të agjentëve doganorë me një çift të mistershëm “ekspertësh”, një gjeorgjian që këshillonte doganat dhe një amerikan që deklaroi se ishte konsulent i Bankës Botërore, të cilët i shpjeguan sallës plot me agjentë doganorë se si funksiononte modeli i doganave gjeorgjiane, i bazuar në një agjensi të vetme doganore, e cila zhvillonte e vetme praktikat e zhdoganim për çdo importues.
Shumë nga të pranishmit, të cilët përfaqësonin rreth dy mijë punonjës privatë të sektorit të zhdoganimit, kuptuan se prezantimi fshihte ndonjë hile dhe pyetjet dyshuese dhe kundërshtitë e tyre i detyruan dy ekspertët ndërkombëtarë të shpreheshin se bëhej fjalë thjesht për një seminar informues dhe asgjë më tepër. Më pas nuk u dëgjua më asgjë, për muaj të tërë.
Pas më shumë se një vit, u mësua se disa nga agjensitë doganore më të mëdhaja të vendit po zhvillonin pranë një universiteti privat një kurs përgatitor për më shumë se një qind (një burim pretendon dy qind) agjentë të ri doganor që duhet të punësohen në një agjensi të re doganore, e cila pritet të krijohet nga disa prej importuesve më të mëdhenj në vend.
Para ca kohësh, në një takim të famshëm me tatimpaguesit kryesorë të vendit, kryeministri Edi Rama i përshkroi doganat si një vend i mbushur me personazhe të çuditshëm, të veshur keq dhe më prejardhje të paqartë, që administronin praktika korruptive, pavarësisht drejtuesve të ndershëm të doganave, dhe premtoi se e gjitha kjo do të përfundonte shpejt, në sajë të ndërhyrjes së qeverisë së tij.
Duket se ndërhyrja e qeverisë ka filluar. Pak javë më parë, një projekt-vendim qeverie iu paraqit një përfaqësie të ngushtë të agjentëve doganorë, më saktë përfaqësuesve të agjensive më të mëdha doganore, të gjitha të lidhura me importuesit kryesorë të vendit. Por Shqipëria është vend shumë i vogël dhe projekt-vendimi u shpërnda mes biznesvee dhe kështu kush do që merr vesh sadopak nga ligji kuptoi menjëherë se po ngrihej një grackë.
Fshehur mes qindra faqeve të keqpërkthyera nga legjet europiane, disa nene të kësaj VKM-je zbulonin vullnetin e qeverisë për të nxjerrë jashtë loje dy mijë agjentët privatë të agjensive aktuale doganore dhe për t’i zëvendësuar ata me një numër të pacaktuar agjentësh të rinj doganorë, të pajisur me një licence të re të dhënë nga Drejtoria e Doganave, pas një kursi të posaçëm përgatitor. Licensa e re përveç kritereve normale profesionale, ka kusht të detyrueshme edhe marrjen e “pëlqimit” nga doganat për të liçensuarin.
Burime të doganave kanë bërë të ditur se projektvendimi është përgatitur drejtpërdrejt nga Ministria e Financave dhe përmban të paktën tre supriza të tjera: rritjen e tejskajshme të garancive financiare që çdo agjensi doganore duhet të japë që të mund të lejohet të veprojë; detyrimin për të zhvilluar aktivitet vetëm si person juridik, pra, vetëm si kompani aksionare dhe jo si person fizik; dhe futjen e përgjegjëshmërisë së agjensisë doganore për pagesat e klientit importues—pra, nëse importuesi nuk paguan, duhet të paguajë agjensia.
Nuk nevojitet më shumë për të kuptuar se është rikthyer kështu në tavolinë projekti i një agjensie të vetme doganore, edhe pse i ndryshuar disi, dhe se vetëm ndonjë agjensi e madhe doganore, e ndihmuar nga kapitale të mëdha dhe klientë të rëndësishëm, në mos në pronësi të vetë imporuesve të mëdhenj, mund të mbijetojë në këto kushte dhe të shijojë tortën 30 milionë euroshe të komisioneve vjetore të zhdoganimit.
Qëllimet e mbrapshta të qeverisë u vertetuan në nëntor, kur qeveria e miratoi këtë vendim mbi doganat, në mbledhjen e saj të 10 nëntorit, por nuk e publikoi atë në faqen zyrtare të Kryeministrisë, praktikë që qeveria Rama e zbaton sa herë bënë veprime korruptive.
Në fakt, vendimi u bë publik më 17 nëntor kur u botua në Fletoren Zyrtare me titullin Për dispozitat zbatuese të ligjit Nr. 102/2014, Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë.
Tashmë vendimi ka hyrë në fuqi dhe të gjithë mund ta lexojnë, edhe pse përmbajtja shumë teknike e tij fsheh përmbajtjen e tij “revolucionare”.
Duke e përmbledhur: garancia që çdo agjensi doganore e krijuar si kompani aksionare duhet të paraqisë është rritur nga 5-10 milionë lekë në 50 milionë lekë (rreth 380 mijë euro); çështja e përgjegjësisë të detyrimeve të importuesit ka mbetur e paqartë; ndërkohë është bërë shumë e qartë se të gjithë agjentëve aktualë doganorë u pezullohet licensa më 2 mars të 2018, dhe në mënyrë që të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e agjentit doganor, tanimë vetëm si pjesë e një kompanie aksionere, ata do të duhet të plotësojnë një sërë kushtesh, të kenë ndjekur kursin përgatitor për agjent doganor, dhe t’i nënshtrohen një provimi nga Drejtoria e Doganave.
Por, si agjentët doganorë, si bashkëpunëtorët e ndihmësit e tyre, kanë të domsodoshme gjithashtu që të marrin besueshmërinë e Drejtorisë së Doganave për t’u licensuar, por ndërkohë nuk është përcaktuar asnjë bazë objektive se si fitohet ky lloj besimi, duke lënë çdo gjë në pushtetin subjektiv të drejtuesve të doganave.
Sipas vendimit të qeverisë, do të jetë një zyrë e krijuar nga qeveria ajo që do të vendosë se kush mund të punojë në një punë tërësisht private—agjensia doganore thjesht përfaqëson importuesin privat në marrëdhëniet e tij me doganën.
Është njësoj sikur qeveria të kishte të drejtën për të vendosur se kush mund të punojë si avokat i një kompanie private, apo si financier, apo si kasap.
Por gërshetimi i kushtëzimeve që vendos ky vendim—pëlqyeshmëria subjektive nga Drejtoria e Doganave, rritja e garancisë financiare, detyrimi për t’u regjistruar si kompani aksionere, dhe përgjegjësia (ende e pa qartësuar mirë) e pagesës së detyrimeve të papaguara nga importuesit—si dhe protagonistët e vërtetë të kësaj historie (importuesit kryesorë shqiptarë) dëshmon një skenar edhe më të keq: krijimin e një oligopoli agjensish doganore, të lidhura ngushtësisht me qeverinë dhe të kontrolluar nga importuesit kryesorë të vendit, tek të cilët do të drejtohen edhe importuesit e tjerë për të zhdoganuar mallin.
Duke qënë se këto nrdyshime janë lobuar në rradhë të parë nga Zamir Mane dhe Vilma Nushi—pronarë agjensish doganore apo regjimit të magazinimit doganor me agjentë të punësuar, dhe njëkohësisht importues kryesorë të cigareve, ilaçeve, ushqimeve, veshjeve, këpucëve, elektroshtëpiakeve, produkteve të higjenës shtëpiake dhe personale, dhe të shumë produkteve të tjera—çdo konkurent i tyre do të jetë në kushte të pafavorshme përballë tyre ta pasi do të jetë i detyruar t’u tregojë atyre çdo të dhënë private të aktivitetit të vet ekonomik, dhe natyrisht mund të vonohet apo bllokohet prej tyre në doganë në çdo moment.
Pra, pasi ka privatizuar pothuajse çdo gjë, qeveria Rama po fillon tani edhe eksperimentin e vërtet shoqëror: privatizimin e të tregut të lirë për llogari të klientëve të tij.