Analiza e kostove të prodhimeve “Made in Albania” jep alarmin se, në rast të hapjes së tregjeve, “cunami” i importeve me çmime të ulëta nxjerr nga tregu produktet vendase. Ekspertët rekomandojnë masa për uljen e kostove, por fillimisht kërkojnë rritje të tarifave për mallrat e importit që subvencionohen nga vendet fqinjë. Praktikat botërore dhe rajonale dhe pesë pengesat që bëjnë prodhimet tona jokonkurruese.
Shqipëria është prodhuesi më i hershëm i perimeve në rajon, ka edhe detin, por turshinë e kastravecit e importojmë nga Maqedonia. Turshitë nga Maqedonia kanë zënë vend në tregun shqiptar, njësoj si mielli serb dhe birra e Kosovës, për shkak të çmimit të lirë. Por në momentin që do të aktivizohet zona e lirë tregtare në rajon si në BE, fabrikat që prodhojnë në Shqipëri nuk do të rezistonin as gjashtë muaj dhe ekonomia do të përballej me faliment masiv të industrisë.
Ky është paralajmërimi i zymtë që bën industria e prodhimit në vend, shqetësimi i së cilës nuk po merret në konsideratë, pasi edhe tani që përpjekjet për hapjen e tregjeve kanë filluar, prodhimet shqiptare e kanë humbur konkurrueshmërinë edhe në tregun e brendshëm në raport me mallrat e importit. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, është i alarmuar nga lehtësia me të cilën qeveria shqiptare po merr krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
“Shpejtësia dhe lehtësia me të cilat do të vijnë mallrat nga rajoni dhe më gjerë do të shkallmojnë tërësisht industrinë,” – paralajmëron Arben Shkodra, “dhe përveçse humbasim vendet e punës, rrezikojmë të kthehemi në importues.”
Aktualisht Shqipëria është deficitare në tregtinë me vendet e CEFTA-s ku bëjnë pjesë edhe vendet e rajonit të Ballkanit. Gjatë 10-mujorit 2017, importet nga këto vende shënuan 40 miliardë lekë, me një rritje vjetore 30% si pasojë e rritjes së importit të miellit serb dhe birrës nga Kosova.
Eksportet shqiptare u rritën gjithashtu, por me ritme më të ulëta se importet. Ato shënuan vlerë 34 miliardë lekë në janar-tetor 2017, me një rritje vjetore 25% të nxitura nga materialet e ndërtimit drejt Kosovës.
Taksat e larta dhe mungesa e politikave subvencionuese dhe incentivuese i ka bërë prodhimet shqiptare, sidomos ato të industrisë së agropërpunimit, inferiore edhe në tregun vendas ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Kosova.
Importet e miellit dhe birrës janë rritur me ritme dyshifrore dy vitet e fundit, duke çuar në kolaps industrinë vendase. Sipas administratorëve, fabrikat po punojnë me 40% të kapacitetit dhe disa prej tyre kanë dalë në shitje. Për të paraprirë “cunamin” e produkteve të importit, sidomos me funksionimin e zonës së lirë tregtare në rajon, qeveria shqiptare ka dy zgjidhje. Altin Furtuna, sekretar i Dhomës Turke të Tregtisë, thotë se, e para duhet të jetë vendosja e barrierave doganore për ato produkte që konkurrojnë në mënyrë jo të drejtë prodhimin vendas dhe, së dyti duhen marrë masat që kanë të bëjnë me lehtësimin e kostove për prodhimet shqiptare, me qëllim bërjen konkurruese në tregun vendas. Vendosja e barrierave tregtare duhet marrë në konsideratë, pasi masat që lehtësojnë kostot kërkojnë kohë, – rekomandojnë ekspertët.
Vendet e Ballkanit janë angazhuar të respektojnë rregulla tregtare si BE deri në vitin 2023, çka do të thotë se, mallrat e fabrikave serbe të vijnë drejt në tregjet tona pa asnjë ndalesë dhe asnjë tarifë.
Muajin e kaluar, Kosova vendosi një tarifë 0.4 cent për çdo kilogram miell që importohet nga Serbia për të mbrojtur industrinë vendase të blojës nga konkurrenca e padrejtë. Serbia e subvencionon grurin dhe përpunimin e tij në të gjitha hallkat. Fermerët marrin financime direkte për mbjelljen në fushë, ndërsa fabrikat e përpunimit marrin mbrapsht TVSH për çdo investim në makineri. Për pasojë, mielli serb konkurron në të gjithë rajonin me çmime të lira. Por, sipas rregullave të OBT-së, çdo vend mund të aplikojë masa mbrojtëse (të rrisë tarifat doganore) për çdo produkt importi kur e vërteton se ai subvencionohet nga qeveria e vendit partner.
Sërish të fundit
“Teksa vendet e rajonit kanë krijuar të gjitha strukturat, ndryshimet në legjislacion dhe po punojnë për të lehtësuar prodhimet e tyre nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, Shqipëria ende nuk ka bërë takimin formal me prodhuesit shqiptarë për t’u informuar në lidhje me shqetësimet që kanë ato nga hapja e tregjeve”, thotë zoti Shkodra, përfaqësuesi i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë.
Serbia po përparon shumë shpejt për të përfituar nga plani “Berlin Plus” që qeveria Merkel ka për rajonin e Ballkanit. Ky plan është një mini Marshall për Ballkanin dhe synon të mbështesë me fonde direkte lehtësimin e tregtisë së përbashkët në rajon dhe masa që lehtësojnë infrastrukturën për lëvizjen e mallrave. Zoti Shkodra pohon se Serbia po merr pozitat dominuese në këtë proces.
Berlin Plus
Serbia po përparon shumë shpejt për të përfituar nga plani “Berlin Plus” që qeveria Merkel ka për rajonin e Ballkanit. Ky plan është një mini Marshall për Ballkanin dhe synon të mbështesë me fonde direkte lehtësimin e tregtisë së përbashkët në rajon dhe masa që lehtësojnë infrastrukturën për lëvizjen e mallrave. Zoti Shkodra pohon se Serbia po merr pozitat dominuese në këtë proces.
Qeveria e vendit atje po investon në infrastrukturën rrugore dhe atë hekurudhore për të siguruar lidhje të shpejta me BE dhe vendet fqinjë. Gjithashtu, ndryshimet në legjislacion dhe incentivat fiskale kanë përparuar shumë. Në Serbi, investitorët e huaj subvencionohen me gati 9 mijë euro për çdo vend pune të hapur, ndërsa çdo fabrikë vendase apo e huaj i subvencionohet TVSH-ja e makinerive dhe lëndëve të para. Për pasojë, disa produkte të prodhuara në Serbi janë bërë shqetësim edhe për Bashkimin Europian.
Departamenti i Tregtisë në BE hapi më herët këtë vit një hetim për prodhimin e çelikut në Serbi, pasi dyshohej se po konkurronte me pa të drejtë për shkak të politikave subvencionuese. Mirëpo të gjitha vendet e rajonit, në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët, po identifikohen me përparësitë që disponojnë për t’i bërë ballë nesër hapjes së tregut.
Mali i Zi synon eksportin e shërbimeve turistike dhe shërbimeve të teknologjisë, teksa ka nisur punën për ndërtimin e një zone të lirë teknologjike. Maqedonia po synon të nxisë prodhimet e saj nëpërmjet kompanive të mëdha multinacionale dhe të teknologjisë së lartë, duke ju ofruar zonat e lira ekonomike pa taksa dhe me subvencione të vendeve të punës, tha për “Monitor”, Asip Useini, zv/drejtor i Zonës së Zhvillimit Ekonomik në Maqedoni. Bosnja gjithashtu ka gati ekonominë e shkallës për t’iu përgjigjur tregut në rajon, sidomos në industrinë përpunuese dhe automative, e trashëguar nga ish-Federata Jugosllave. Por Shqipëria duket se mbetet e paorientuar, pasi ende nuk ka shpallur një platformë se si do të pozicionohet në tregun e përbashkët dhe me çfarë duhet të konkurrojë.
E paorientuar
Shqipëria duket se mbetet e paorientuar, pasi ende nuk ka shpallur një platformë se si do të pozicionohet në tregun e përbashkët dhe me çfarë duhet të konkurrojë.
Çfarë duhet bërë
Nisur nga përvojat e shumta që nga hapja e tregjeve në vitin 1990, Shoqata Shqiptare e Prodhuesve ka disa rekomandime se si mund t’i bëhet ballë hapjes së mëtejshme të tregjeve me rajonin dhe Bashkimin Europian.
Arben Shkodra nga Shoqata e Prodhuesve thotë se, një sërë ligjesh, VKM dhe udhëzimesh, procedurash dhe tarifash duhet të ndryshohen në mënyrë që të ulen kostot dhe të bëhet konkurrues prodhimin vendas. Shkodra thotë se, prodhimi vendas nuk duhet të ketë taksa vendore. Këto taksa duhen vënë ndaj magazinave doganore dhe ndaj mallrave të importit. Më tej duhet të aplikohen lehtësi procedurale, sidomos ato që kanë të bëjnë me procedurat doganore dhe duhet hequr urgjentisht një taksë për ambalazhin. “Vetëm nga kjo taksë produktet tona kanë humbur konkurrencën në eksport”, – shprehet ai.
Shqipëria, sipas zotit Shkodra, duhet të aplikojë urgjentisht një regjim të veçantë për procedurat doganore për artikujt agroushimorë.
Duhet shmangur radha në dogana, pasi ushqimet prishen dhe skanimi nuk këshillohet për të gjitha produktet. “Ne kemi probleme me skanimin. Për shkak të kanabisit, çdo eksport skanohet. Kjo duhet të bëhet me kampionim, thotë Shkodra.
Prodhuesit kërkojnë që të ulen kostot e energjisë elektrike në prodhim. “Nuk duhet të përdoren të njëjat politika taksash si për magazinën e importuesit, edhe për atë të prodhuesit, nëse duam të kemi prodhimin vendas të lehtësuar. Ju keni parë që çmimi i birrës së importit është më i lirë se prodhimi vendas, pasi prodhuesi atje ka çmim më të lirë energjie dhe taksa më të ulëta në tërësi”, – tha Shkodra.
Të konkurrojmë me produktet unike
Edhe pse rajoni po përshpejton ritmet e punës për të përfituar nga lehtësimi i tregtisë, Shqipëria ka pozitë të favorshme gjeografike, klimë me rreth 300 ditë diell, burime të pasura natyrore, të cilat mundësojnë prodhime të cilat nuk gjenden në fqinjët tanë.
Zoti Shkodra thotë se, duhet të identifikojmë dhe të nxisim prodhimin e produkteve unike shqiptare të tilla, si cikli i mbyllur i veshmbathjeve, vajin e ullirit, ujin, peshkun dhe mineralet etj. Por fillimisht duhet të identifikohen produktet unike shqiptare, duke krijuar një lloj shporte me të cilat mund të konkurrohet në tregjet rajonale.
Kjo shportë fillimisht duhet të evidentohet dhe pastaj të analizohet i gjithë cikli i prodhimit të secilit prej artikujve që më pas të lehtësohen me politika mbështetëse, të cilat duhet të udhëhiqen nga qeveria. “Për shembull, vajin e ullirit e kemi unik. Por më parë duhet të ndërtojmë një strategji se mund ta lehtësojmë vajin e ullirit dhe ta bëjmë atë të aksesueshëm në tregjet rajonale”, – shprehet Shkodra. Në këtë mënyrë duhet të trajtohet prodhimi i peshkut, ujit, perimeve etj. Por gjithsesi prodhuesit sugjerojnë që qeveria duhet të nxisë industrinë përpunuese për të rritur vlerën e prodhimeve shqiptare. Ata sugjerojnë se, në bazë të gjithçkaje duhet të jetë ekonomia komplementare. “Ne duhet të zhvillojmë prodhimin e produkteve me të cilat mund të jemi lehtësisht konkurrues në rajon”, rekomandon Shkodra.
Fillimisht masat mbrojtëse
Teksa lehtësimi i prodhimeve vendase kërkon kohë, ekspertë të tjerë të ekonomisë pohojnë se qeveria shqiptare duhet të vërë në zbatim masat mbrojtëse (rritjen e tarifave doganore) për produktet që konkurrojnë në mënyrë jo të drejtë prodhimet vendase. Altin Furtuna nga Dhoma Turke e Tregtisë pohon se, marrëveshja e OBT-së, në të cilën Shqipëria është anëtare që në vitin 2000, në artikullin VI mbi tregun dhe tarifat, përcakton se çdo qeveri mbështet në termat e të ardhurave dhe politikave fiskale prodhimin vendas, por nga ana tjetër, vendet importuese kanë të drejtë të marrin masa mbrojtëse në përputhje me këtë artikull të së njëjtës marrëveshje, për të mbrojtur një nga industritë e saj në sektorin e prodhimit. Shqipëria nuk ka aplikuar asnjëherë të tilla masa për të mbrojtur prodhimin vendas dhe ka hapur të gjitha dyert për prodhimet e huaja.
Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar barriera, nga të cilat njihen se janë ekzekutuar 368 masa mbrojtëse. Nga të cilat, 107 janë aplikuar ndaj produkteve kineze. Bashkimi Europian aplikon 310 masa të tilla. Jo vetëm vendet e zhvilluara, por edhe shumë vende në zhvillim, duke përfshirë Indinë që ka aplikuar 599 masa, Brazili 233 masa, Argjentina 239, Turqia 174, Afrika e Jugut 137, të cilat janë aplikuar për të mbrojtur industritë e tyre prodhuese.
Ekspertët pohojnë se mungesa e masave mbrojtëse po krijon shumë dëme në ndërmarrjet ekzistuese të industrisë së çelikut, birrës dhe blojës, teksa po pengohet avancimi i investimeve të reja.
Ky artikull u botua më parë tek Monitor.al.