Dhjetë prokurorët e Krimeve të Rënda që kundërshtuan vendimin e kryeprokurores Marku për të marrë pjesë në shortin e çështjes Shullazi, kanë shpjeguar qëndrimin e tyre me anë të një deklarate publike.
Në deklaratë, prokurorët sqarojnë se mungon baza ligjore për hedhjen e një shorti të ri për një çështje që ka tashmë tre prokurorë :
“Më datën 18 Shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qënë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej orën 15.00, pa u njoftuar për objektin e saj. Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim menenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditëpërpara, së bashku me rendin e ditës.
Mbledhja në fjalë u shty për të nesërmen, më datë 19.09.2018[…]. Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR.
Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 [çështja Shullazi] dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë.
Sqarojmë se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.
Hedhja e shortit, dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Një kërkesë e tillë, cënonte parimet e nenit 6 të Ligjit no. 97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e prokurorëve, aq më tepër në në një fazë të tillë të procesit, kur hetimi, akuzat, debati gjyqësor, qëndrimet mbi vlefshmërinë e provave dhe vlera e tyre provuese ishin kryer nga prokurorë të tjerë të çështjes.
Duke u ndjerë në kushtet e paligjshmërisë së procesit, pjesa më e madhe prokurorëve, e përbëre nga 9 prej tyre, pasi paraqitën argumentat e tyre, dhe në mungesë vullneti nga drejtuesja e PKR për të diskutuar profesionalisht ligjshmërinë e procesit dhe argumentat, u larguan nga shorti.”
Prokurorët po ashtu sqarojnë se vendimi i Kryeprokurores MArku për të nisur hetim disiplinor nga tyre dhe për të transferuar 3 prokurorë në rrethe nuk është i ligjshëm:
“Në të njëjtën ditë, më datë 19 Shtator 2018, grupi i 10 (dhjetë) prokurorëve u njoh me Njoftimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, për nisjen e një procesi disiplinor kundër tyre vetëm nëpërmjet Mediave.
Njoftimi në fjalë është në kundërshtim me ligjin; Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca për të nisur procedim disiplinor deri në krijimin e organeve të reja (Këshilli i Lartë i Prokurorisë).
Në vijim, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në kundërshtim me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka urdhëruar transferimin e përkohshëm në Berat, Pogradec dhe Kukës të prokurorëve Olsian Çela, Besim Hajdarmataj dhe Sonila Muhametaj.”
Dhjetë prokurorët për të cilët ka nisur hetim disiplinor janë:
– Olsian Çela
– Përparim Kulluri
– Arens Çela
– Edvin Kondili
– Pranvera Pustina
– Eugen Beçi
– Sonila Muhametaj
– Blerim Tominaj
– Besim Hajdarmataj
– Behar Dibra