Prokuroria e Dibrës regjistroi sot dosjen e bashkëpunimit kriminalo-politik të blerjes së votave në Dibër ose siç njihet ndryshe dosja 184. Në shtator do të hidhet shorti për të përcaktuar se kush do të jetë prokurori i çështjes.
Sipas Ora News, personat e akuzuar do të hetohen për veprat penale “përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Siç kemi shpjeguar në një artikull të mëparshëm kalimi i dosjes në prokurorinë e Dibrës është shkelje e ligjit procedural penal, por edhe të praktikave të mëparshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Rreth dy muaj më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërpreu hetimin e njohur si “Dosja 184” për mungesë kompetence dhe ia ka kaluar hetimin prokurorisë Dibër.
Prokuroria Dibër drejtohet nga Esmeralda Keshi (Cami), kunata e Arben Keshit, drejtorit të Ministrisë së Brendshme, i kapur në përgjimet e prokurorisë si person kyç në skemën e shit-blerjes së votave dhe frikësimit të qytetarëve për të votuar kandidatin socialist, në zgjedhjet vendore 2016 në Dibër.
Kalimi i dosjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për hetim në prokurorinë Dibër, ngre pikëpyetje serioze dhe për paanshmërinë dhe seriozitetin e hetimeve.