Portali Italian Meridionews lajmëroi mbylljen e hetimeve për shtatë të arrestuarit e dosjes Habilaj, duke bërë publike dhe një foto të dokumentit të prokurorisë.
Hetimet janë mbyllur për Moisi Habilajn e Maridian Sulaj, aktualisht në burg, dhe Fatmir Minaj që do të presë gjykimin në gjëndje të lirë.
Hetimet, po ashtu janë mbyllur dhe për 12 italianë të përfshirë në këtë dosje, por nuk janë mbyllur ende për emra të tjerë shqiptarë që janë ende në kërkim nga prokuroria anti-mafia e Katanias.
Kështu për shtetasit Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj, Armando Sulaj dhe Nezar Seiti prokuroria e Katanias ka nxjerrë urdhër-arresti dhe hetimet vazhdojnë. Nezar Seiti është aktulisht në burg në Shqipëri.
Për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri , deri më tani nuk ka asnjë njoftim.
Kjo do të thotë se, Saimir Tahiri, ose nuk është hetuar, ose, si duket më e mundshme, hetimi ndaj tij vazhdon, ashtu siç vazhdon dhe për emrat e tjerë të kërkuar apo të arrestuar për të njëjtën çështje. Pra, nëse hetimet për Tahirin ekzistojnë, ato ende nuk janë mbyllur, ashtu siç nuk janë mbyllur as për të tjerë persona në kërkim të dosjes Habilaj.
Por mediat shqiptare, të lidhura me qeverinë, menjëherë e kanë raportuar mbi një silogjizëm të rremë, se meqë hetimi është mbyllur për disa nga të dyshuarit ku emri i Tahirit nuk përmendet, atëherë ish-ministri nuk ka qenë nën hetim e as nuk do të hetohet në të ardhmen.