Prokuroria e Krimeve të Rënda do të vazhdojë hetimet ndaj ish-Ministrit Tahiri për përfshirje në bandën Habilaj, për të paktën edhe 3 muaj, deri në dhjetor 2018.
Vendimi për shtyrje të hetimeve u mor sot nga katër prokurorët e çështjes Tahiri: Dritan Prençi, Arenc Çela, Gentian Osmani dhe Vladimir Mara.
Zgjatja e hetimeve është bërë për shkak të një letër porosie që Prokuroria e Krimeve të Rënda po pret nga Bari dhe institucionet italiane ligjzbatuese që po hetojnë grupin e Habilajve në Itali.
Kjo është hera e tretë që prokuroria shtyn hetimet për këtë çështje.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzohet për “ Trafikimin e narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.
Aktualisht hetimet për ish-ministrin Tahiri duket se është futur në një rrugë pa dalje, falë vendimeve të paligjshme të Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku. Marku lejoi një dëshmitar vendimtar, Nazer Seitin, që të ekstradohet në Itali edhe pse prokuroria shqiptare po e hetonte atë në lidhje me çështjen Tahiri-Habilaj. Vendimi i ekstradimit të Seitit ishte në kundërshtim me nenin e 491 të Kodit të Procedurës Penale.
Marku, po ashtu, shkarkoi drejtuesin e Prokurorisë për krimet e Rënda Besim Hajdarmataj, i cili drejtonte hetimet e çështjes Tahiri dhe më pas e transferoi atë në kundërshtim me ligjin, në prokurorinë e Pogradecit.