Televizioni News 24 njofton se Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar gjykatës sekuestrimin e pasurisë së deputetit socialist Alfred Peza.
Kërkesa për sekuestro është e detajuar dhe pritet që të zhvillohet seanca për të vendosur nëse pasuritë e deputetit do të vihen ose jo nën sekuestro, sipas ligjit antimafia.
Nga hetimet disa mujore, ka rezultuar se deputeti i mazhorancës, nuk ka mundur të justifikojë pasurinë e tij, raporton News 24.
Hetimi filloi pasi bashkëshortja e Zotit Peza bleu aksione me vlerë 1,13 miliardë lekë në bankën Credins.
Në muajin janar, ishte Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) që nisi kontrollin dhe hetimin administrativ për pasurinë e deputetit socialist Alfred Peza.
Sipas Zotit Peza, paratë ishin kursyer ndër vite nga ai dhe bashkëshortja e tij dhe se pasuria nuk kishte lidhje me pozicionin e tij si deputet në parlament.