Prokuroria e Tiranës i kërkoi Bashkisë Tiranë të mos prishi asnjë ndërtesë të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, pa njoftuar. Në kërkesën dërguar sot prokuroria i ka lënë afat deri në datën 5 dhjetor Bashkisë për të përcjellë listën e objekteve të dëmtuara nga tërmeti dhe nëse ka një vendim për prishjen e tyre të njoftohet prokuroria që të sjellë grupin hetimor.
Gjithashtu bashkia duhet ti dorëzojë prokurorisë të gjithë dokumentiacionin tekniko-ligjor brenda këtij afati.
Në datën 27 nëntor prokuroria i dërgoi kërkesë bashkisë, që kjo e fundit të dërgonte listën e plotë të objekteve të identifikuara të dëmtuara. Por pavarësisht kësaj kërkese, Bashkia nuk kishte depozituar asnjë informacion në Prokurori.
Prokuroria ka nisur prej disa ditësh hetime drejt ndërtuesve, inxhinierëve apo arkitektëve për ndërtesat e rrënuara dhe dëmtuara nga tërmeti i të martës. Lëkundjet e fuqishme i morën jetën 51 qytetarëve dhe plagosën mbi 700 të tjerë.