Prokuroria pushon akuzat, por a është "i larë" Ministri Tahiri? – Koment

Prokuroria pushon akuzat, por a është "i larë" Ministri Tahiri? – Koment

Prokuroria e Fierit ka pushuar dje hetimet ndaj tre kushërinjve të Ministrit Sajmir Tahiri, të dyshuar për trafik droge, pasi nuk ka gjetur prova për akuzat kundër tyre. Ky vendim ka çliruar nga dyshimet vetë Ministrin Tahiri, i akuzuar për krijim lehtësirash për kushërinjtë e tij.

Origjina e kësaj historie nis rreth 5 muaj më parë, kur një punonjës policie, Dritan Zagani, u arratis nga Shqipëria, gjatë kohës që ishte në arrest shtëpie, nën akuzën e dekonspirimit të aksioneve të policisë. Pasi largohet nga Shqipëria, Zagani deklaron se akuzat e tij ishin hakmarrje ndaj tij, për shkak se ai kishte hetuar trafikantë droge të lidhur me Ministrin Tahiri. Zagani e akuzoi Ministrin Tahirin se favorizonte trafikun e drogës të tre vëllezërve vlonjatë, kushërinj të tij, duke ju vënë atyre në dispozicion makinën e tij private.

Ministri u përgjigj se ai nuk kishte asnjë lloj lidhje me vëllezërit Habilaj dhe makinën jua kishte shitur atyre mbasi ishte bërë ministër.

Por shpejt, në media u publikuan të dhëna që tregonin se në fakt makina ishte ende e regjistruar në emër të Ministrit Tahiri. Ministri nuk e mohoi këtë fakt, por deklaroi se nuk e kishte kaluar me letra pronësinë e makinës së shitur tek kushërinjtë, pasi nuk donte që paratë e shitjes të sekuestroheshin nga përmbarimi gjyqësor – Ministri Tahiri është dënuar nga gjykata për shpifje ndaj fëmijëve të ish-Kryeministrit Berisha, por nuk e ka paguar ende dëmshpërblimin ndaj tyre.

Në këto rrethana, prokurori nisi hetimin në lidhje me kushërinjtë e Ministrit.

Ministri Tahiri e ka përshëndetur ndërprerjen e hetimeve ndaj kushërinjve të tij me një mesazh në faqen e tij në Facebook:

“Tani që prokuroria vërtetoi gënjeshtrat e policit në arrati, shqup-it i humbi edhe llumi i rrenave.

Ky është nga ato rastet kur gënjeshtra të përplaset në fytyrë, e shqupistave u është nxirë faqja tashmë.

Politika që ndërtohet mbi të vërteta, ka vlerë gjithmonë. Gënjeshtra është grykse, nuk ngop kurrë. Kjo vlen dhe për shqupistat.”

Komenti, ndoshta banal dhe i padenjë për një ministër, nënkupton se akuzat ndaj tij u sajuan nga Partia Demokratike.

Por, përtej opinioneve të tij në lidhje me origjinën e akuzave, Zoti Tahiri i detyrohet t’i përgjigjet publikut, ose të paktën publikut jo-shqupist:

A mendon Ministri se sjellja e tij për të shmangur vendimet gjyqësore është e denjë për një ministër, aq më tepër një ministër të brendshëm?

A mendon Ministri, gjithashtu, se lënia e makinës që figuron në emër të tij personave të tjerë, në çfarëdo rrethane qoftë, është sjellje e papërgjegjshme?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>