Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), e përbërë prej komisionerëve; Genta Tafa, Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko, nuk i lejuan prokurores Rovena Gashi, pjesëmarrjen reale dhe efektive në seancën dëgjimore në kuadër të procesit të vetingut, seancë që duhej të zhvillohej sot.
Prokurorja Rovena Gashi e ka kundërshtuar 5 herë trupën gjykuese pasi të paktën njëri prej anëtarëve të trupës kishte konflikt interesi me prokuroren, por KPK nuk e ka marrë parasysh kërkesën e saj deri në fund të hetimit administrativ. Sipas trupës gjykuese këto kërkesa janë thjesht zvarritje e procesit ndaj për këtë arsye Zonja Gashi nuk do të marrë pjesë në seancë.
Trupa gjykuese e KPK, nëpërmjet një e-maili më 19 korrik 2018 shprehet se kërkesa e prokurores do të mbahet parasysh nga trupe gjykuese në vlerësimin e subjektit.
Duke mos lejuar mbrojtjen e prokurores dhe zhvillimin e një procesi të rregulltë, Trupa e vlerësimit në seancën dëgjimore vetëm do akuzojë, ndërkohë që nuk e ka lejuar atë të paraqesë asnjë provë të kundërt.
Në një raport analitik, 27 faqe, prokurorja Rovena Gashi argumenton shkeljet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilat gjenden të përmbledhura në vijim:
- Subjektit të rivlerësimit, Rovena Gashi, nuk iu garantua zhvillimi i procesit të saj të rivlerësimit nga një trupë gjykuese e pavarur dhe e paanshme.
- Procesi i rivlerësimit të Gashit ishte i paragjykuar dhe se vendimmarrja në lidhje me të ishte e paracaktuar.
- Trupa gjykuese e procesit të rivlerësimit të Rovena Gashit dështoi në dhënien e garancive këtij subjekti se ishte e pavarur, e paanshme dhe e përgjegjshme gjatë ushtrimit të detyrës.
- Në përbërje të trupës gjykuese të subjektit të rivleresimit Rovena Gashi, në cilësinë e Relatores, me rol dhe funksion ligjor determinant në procesin e saj të rivlerësimit nga data 30.11.2017-15.03.2018, ka vepruar Komisionerja Suela Zhegu, në kushtet e konfliktit të hapur të interesit me subjektin e vleresimit.
- Hetimi administrativ që kreu, kryesisht, kjo trupe gjykuese ndaj subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi është i pavleshëm.
- KPK nuk ka pranuar asnjë nga 38 provat e kërkuara prej subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi.
- KPK i ka kërkuar subjektit të rivlerësimit që të japë shpjegime, pa prova, për rezultatet paraprake të hetimit administrativ, të filluar prej këtij organi dhe të zhvilluar vetëm prej tij.
Prokurorja Gashi i është drejtuar Gjykatës së Starsburgut për një proces të drejtë.