Propozimet e PS për ndryshimet në Kodin Zgjedhor – Pikat kryesore

Propozimet e PS për ndryshimet në Kodin Zgjedhor – Pikat kryesore

Partia Socialiste ka hartuar draftin për propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si pjesë e reformës zgjedhore. Ky draft do të diskutohet nesër në Komisionin e Posaçëm të reformës.

Rekomandimet kryesore të PS-së lidhen me financimin e partive politike dhe kandidatëve gjatë fushatës, keqpërdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës apo blerjen e votës.

Ndërkohë, pavarësisht premtimeve të shumicës socialsite për depolitizim të KQZ-së dhe KZAZ-ve, në draftin e dorëzuar nuk ka asnjë propozim në lidhje me to.

Më poshtë Exit.al sjell në mënyrë të përmbledhur disa nga propozimet kryesore të PS-së:

Për financimin e partive politikë gjatë fushatës

PS propozon se asnjë perosn fizik ose juridik, që i bën dhurime një partie ose një kandidati, nuk mund të marrë kontrata konçesionare ose PPP “mbi shumën 10 milionë lek, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik, për një periudhë deri 3 vjeçare pas datës së zgjedhjeve”.

Për transparencën financiare të partive gjatë fushatës

Partitë politike në raportin financiar për fushatën zgjedhore të dorëzuar në KQZ “duhet të ketë informacion për çdo dhurim që i është bërë partive gjatë fushatës dhe në periudhën 6 muaj para fushatës“.

KQZ-ja do të krijojë dhe mirëmbajë për 6 muaj para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas datës së zgjedhjeve një portal në internet, me akses të lirë, ku kushdo mund të denoncojë shkeljet e Kodit Zgjedhor nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës.

Për keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe njerëzore gjatë fushatës

Çdo institucion shtetëror duhet të raportojë në KQZ të gjitha veprimtaritë publike që do të zhvillojë 6 muaj para zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve.

KQZ i shqyrton dhe nëse vëren se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj.

Përdorim i burimeve njerëzore në fushatë do të quhet “presioni ose ofrimi i përfitimeve ndaj nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit”.

Për blerjen e votës

Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe do të mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin para, të mira materiale ose jomateriale, me qëllim marrjen e votës, ndikimin për të marrë pjesë ose jo në votime, ose ndikimin për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>