Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, i ka bërë thirrje vlonjatëve të marrin pjesë në protestën e 18 dhjetorit në Tiranë. Ai deklaroi se opozita do të nisë një lëvizje mbarë popullore ndaj qeverisë që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Sipas Bashës, qeveritarët nën mbështetjen e kriminelëve janë pasuruar në këto katër vite duke braktisur popullin.
“Kjo braktisje mund dhe do të marrë fund vetëm kur ne të bashkohemi për të siguruar një të drejtë elementare që është e drejta të zgjedhim dhe të shkarkojmë më votë qeveritë, pushtetin e qeveritarëve. Ftoj të gjithë qytetarët vlonjatë të bëhen pjesë e një bashkimi të madh qytetar, e një bashkimi mbarëpopullor me 18 Shkurt në Tiranë, për ti thënë ndal arrogancës së pushtetit, për t’i thënë jo pushtetit të lidhur me krimin”.
Basha theksoi se kjo protestë do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve në këto 27 vite.
“Nuk do të ketë votime por do të ketë zgjedhje. Vlora do të zgjedhë, Vlora do të votojë me votë të lirë e të ndershme, Vlora do të flasë me zë të lartë . Vlora e braktisur nuk do të jetë më e braktisur dhe e harruar por do t’i kthehet vlonjatëve, do t’i kthehet qytetarëve me votë të lirë dhe të ndershme. Dhe që ta sigurojmë këtë, me 18 Shkurt i ftoj të gjithë vlonjatët të jenë pjesë e bashkimit më të madh, e bashkimit më të madh të shqiptarëve në 27 vjet”.