Protesta kundër inceneratorit në Verri, policia arreston 4 banorë

Protesta kundër inceneratorit në Verri, policia arreston 4 banorë

Policia e Fierit ka arrestuar katër banorë të Verrisë që protestuan dje kundër ndërtimit të inceneratorit për djegien e mbetjeve pranë kësaj zone.

Sipas policisë, katër qytetarët kanë marrë pjesë në një protestë të paligjshme, kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë.

Gjatë protestës së djeshme, policia ushtroi dhunë mbi banorët e Verrisë.

“Na morën zvarrë si lecka, si lecka”, shpjeguan banorët, teksa shprehen të vendosur për të protestuar deri sa të anulohet ndërtimi i inceneratorit.

Banorët shpjegojnë se inceneratori për djegien e mbetjeve po ndërtohet vetëm 500 metra larg banesave, duke vënë në rrezik serioz shëndetin e tyre dhe tokat bujqësore, që janë i vetmi burim parash për familjet.

Punimet për ndërtimin e inceneratorit kanë filluar por po kryehen me shpejtësi shumë të ulët, pasi banorët sapo vërejnë shenja pune në kantier, protestojnë dhe bllokojnë punimet.

Banorët shprehen të zhgënyer dhe nga Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, pasi ky i fundit, përpara zgjedhjeve të qershorit, i kishte premtuar anulimin e projektit.

Koncesioni për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit 28 milion eurosh në Fier ju dha nga qeveria Rama, kompanisë “Integrated Technology” në shtator të 2016-ës. E njëjta kompani ka fituar dhe koncesionin për inceneratorin e Elbasanit dhe Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>