Kisha Katolike e Shqipërisë, përmes Konferencës Ipeshkvnore deklaroi hapur qendrimin e saj mbi protestën e qytetarëve për taksën e kalimit në rrugën e kombit dhe ngajrjet që pasuan atë.
Përmes një deklarate për shtyp, ato thanë se:
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet e fundit në vendin tonë. Në mënyrë të veçantë në fokusin tonë kanë qenë ngjarjet që kanë ndodhur në qytetin e Kukësit si pasojë e protestës së qytetarëve për taksën e Rrugës së Kombit.
Me shpresë se do të japim kontributin tonë si pjesëmarrës në jetën sociale dhe shpirtërore të vendit ne deklarojmë sa më poshtë:
Së pari, mbështesim çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve. Është e drejtë e çdokujt që kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë.
Se dyti ne dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare. “Kisha nuk mund të pranojë dhunën …. sepse dhuna sjell gjithmonë dhunë dhe prodhon në mënyrë të pashmangshme forma të reja të shtypjes dhe të skllavërisë, më të rënda se ato që ajo pretendonte të çlironte” (Papa Pali VI).
Së treti ne u bëjmë apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Jemi të vetëdijshëm se rrugët, apo çdo objekt që ka të bëjë me të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj personave, grupeve shoqërore dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i atyre të zonave të thella e periferike.
Selia e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Tiranë