Muzikantë, pronarë hotelesh, dhe disa aktori të tjera që janë goditur nga masat kundër COVID-19 protestuan të shtunën në Shkup dhe Gostivar duke bllokuar rrugët. Ata janë të pakënaqur nga qeveria dhe u shprehën se nuk kanë marrë ndihmat ekonomike për situatën.
Protestuesit i thanë qeverisë se ndihma e tyre duhet të jetë konkrete dhe nëse nuk është ata do të mbyllin tërësisht bizneset duke shkaktuar një rritje të papunësisë.
“Neve gjoja po na japin ndihmë për dy muaj, derisa nuk punojmë, pastaj dy muajt e ardhshëm duhet të paguajmë pagat prej xhepit. Përsëri na japin ndihmë për dy muaj, dhe dy muajt e tjerë duhet të gjendemi vetë”, tha gjatë protestës Perica Vellomej përfaqësues i punonjësve në hotele dhe muzikantëve.
“Ne nuk jemi duke punuar sepse na e kanë ndaluar, jo sepse nuk duam, prandaj edhe kërkojmë ndihmë. Asgjë tjetër”, shtoi ai.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se “duhet të kemi parasysh se tashmë tetë muaj shteti po i paguan rrogat, përfshirë edhe ato të sektorit të hotelerisë”.
Për ultimatumin dhe protestën ai tha se “unë nuk pajtohem me ultimatume, por megjithatë do t’i inkurajoja të gjithë qytetarët që të shprehin mendimin e tyre në mënyrë demokratike”.