Gjykata lë në burg drejtuesit e PD-së. Basha: nuk frikësohemi nga Edi Rama

Gjykata lë në burg drejtuesit e PD-së. Basha: nuk frikësohemi nga Edi Rama

Gjykata e Elbasanit dha sot masën e sigurisë për 7 të arrestuarit, të gjithë përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët protestuan pak ditë më parë kundër Kryeministrit Edi Rama.

Gjykata vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Bujar Vreton, Kryetari i PD-së Librazhd; Arjan Karriqin, Kryetari i PD-së Prrenjas; si dhe dy persona të tjerë, Bujar Kojkun dhe Dashamir Bojën.

Ndërkohë gjykata vendosi masën ‘detyrim paraqitje’ për ish-deputetin e  PD-së, Aurel Bylykbashi, si dhe për sekretarin e PD-së Librazhd Erlin Gurra dhe sekretarin e PD-së Prrenjas Leonard Onuzin.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, reagoi Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në një dalje për median, Zoti Basha tha se “opozita nuk frikësohet nga vendime të tilla”.

Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Rama se ka një plan të qartë për të mbajtur pushtetit, dhe këto arrestime politike janë pjesë e planit të tij:

Rama ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm, për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri.

Edi Rama tani po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, ai po kërkon të nxisë përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve.

Për këtë qëllim, ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media, për të krijuar ngjarje që provokojnë, që ndezin emocionet, që nxisin revoltim dhe reagime publike.

Këtë qëllim kanë arrestimet e fundit të drejtuesve të PD.

Këtë qëllim kanë përplasjet e policisë me qytetarët protestues.

Këtë qëllim ka vazhdimi i një fushate të paligjshme.

Këtë qëllim ka retorika e djegies, përmbysjes dhe e dhunës.

Motoja e Edi Ramës tani është: Çdo gjë të sakrifikohet, çdo gjë të shkretohet vetëm që ai ai të ruajë karriken dhe milionat e tij. Është një plan i dëshpëruar që do të sjellë fundin e tij, dhe ne nuk do të lejojmë që fundi i Edi Ramës të arrihet me kosto për Shqipërinë.

Basha paralajmëroi të gjithë prokurorët, gjykatësit dhe policinë se:

Opozita nuk frikësohet dhe as nuk tërhiqet. Edi Rama mund t’u ketë premtuar të kalojnë vetingun. Unë dua t’u premtoj se do ta shoqërojnë Edi Ramën përpara drejtësisë.

Ne nuk do të lejojmë që fundi i Edi Ramës të arrihet me kosto për Shqipërinë. U bëj thirrje të gjithë atyre që e ndjekin verbërisht në këtë aventurë, të mos bëhen kurban i Edi Ramës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>