Qeveria përditësoi të premten klasifikimin e protokolleve të masave higjieno-sanitare që duhet të zbatojnë bizneset të cilave do t’u lejohet hapja e aktivitetit.
Në konsultim me ekspertët e shëndetësisë, autoritetet kanë përcaktuar 3 protokolle, të cilat nëse nuk zbatohen nga sipërmarrësit do të ndëshkohen me gjobë ose ndjekje penale.
Në varësi të numrit të punonjësve që kanë bizneset protokollet janë:
- jeshil për biznese me deri 25 punonjës (për më shumë kliko këtu)
- verdhë për biznese me 26-50 punonjës (për më shumë kliko këtu)
- kuq për biznese me më shumë se 50 punonjës (për më shumë kliko këtu)
Të gjitha protokollet ndalojnë kontaktin fizik mes punonjësve dhe klientëve, ndërsa u kërkojnë sipërmarrësve afishimin e simptomave dhe rregullave të higjienës në mjediset e bizneseve.
Protokolli jeshil
Sipërmarrësit, ose administratorit, i kërkohet të vlerësojë çdo ditë shëndetin e personelit nëse kanë simptoma.
Sipërmarrësi duhet të sigurojë higjienizues, doreza, maska mbrojtëse – maskat të ndërrohen çdo 3 ditë, lejohen dhe maskat artizanale, me kusht që të lahen në 90 gradë çdo ditë – për gjithë personelin.
Çdo punonjës që ka temperaturë mbi 37.5 gradë celcius dhe simptoma të tjera si kollë, dhimbje fyti, rrufë, lodhje fizike, apo vështirësi në frymëmarrje nuk duhet lejuar të vijojë punën dhe për çdo rast duhet kontaktuar shërbimi urgjencës 127.
Sipërmarrësi ose administrator duhet të vendosë shirit distance dhe xham mbrojtës (ose pleciglass) rreth banakut ose arkës dhe jashtë mjedisit të biznesit rrathë pritjeje për rradhën e klientëve.
Duhet garantuar distanca prej 2 metrash mes punonjësve dhe klientëve. Këtyre të fundit u duhet mundësuar higjienizues duarsh në hyrje të mjedisit të sipërmarrjes.
Punonjësit u shërbejnë vetëm 1 klienti, të tjerët presin në radhë jashtë me distancë nga njëri-tjetri.
Në mjedise me mbi 30 metra katrorë mund të lejohen deri në 3 klientë – për çdo 10 metra katror një klient më shumë.
Bizneset duhet të ajrosin mjediset të paktën 3 herë në ditë, por ndalohet përdorimi i kondicionerit, përveçse 20 minuta në çdo 1 orë.
Protokolli i verdhë
Duke qenë se ky protokoll u kërkohet bizneseve me 25-50 punonjës kërkohet bashkëpunim i gjithë personelit që secili prej tyre të bëjë çdo ditë krahas administratorit vetëvlerësim të gjendjes shëndetësore.
Për situatat kur konstatohen simptoma, veprohet si në protokollin jeshil, njoftohet numri 127 dhe punonjësi nuk duhet lejuar në punë.
Njësoj kërkohen edhe masat për dezinfektues, maska, doreza, respektimi i distancave dhe shenjimi në tokë për respektimin e tyre nga klientët.
Bizneset që kanë autobusë apo makina me të cilat marrin punonjësit, lëvizja duhet bër pasi të jetë marrë leje, ndërsa transporti duke siguruar distancë mes punonjësve, ata duhet të kenë doreza dhe maska dhe automjetet duhen dezinfektuar çdo ditë.
Protokolli kuq
Ky protokoll është për sipërmarrjet me më shumë se 50 punonjës, si për shembull, fasonët, call-center-at, apo fabrikat.
Këto biznese duhet të kenë medoemos mjekë, të cilëve nuk u lejohet punësimi në biznese të tjera.
Mjeku është përgjegjës për zbatimin e protokollit, në bashkëpunim me personelin, ai duhet të vlerësojë çdo ditë shëndetin e tyre, furnitorëve apo dhe klientëve.
Nëse ndokush nga personeli apo klientët konstatohet me simptoma kontaktohet urgjenca dhe ata vihen në karantinë në një mjedis të veçuar të ndërmarrjes deri sa të merren masa nga autoritetet shëndetësore.
Njësoj si në protokollet e tjera kërkohen masat për dezinfektues, maska, doreza, respektimi i distancave dhe shenjimi në tokë për respektimin e tyre nga punonjësit dhe klientët – punonjësit duhet të jenë mbi 2 metra larg njëri-tjetrit.
Mjediset duhet të ajrosen 5 herë në ditë ndërsa kondicioneri nuk lejohet më shumë se 20 minuta çdo 1 orë.
Njësoj si në protokollin e verdhë kërkohen masat për autobusët apo mjetet e transportit të ndërmarrjes.