KAS pranoi të hënën provat e Partisë Demokratike për shkelje e parregullsi në zgjedhjet e 25 prillit, ndërkohë që refuzoi marrjen e provave shtesë në institucione të reja.
PD ka kërkuar më herët ripërsëritjen e zgjedhjeve në 9 qarqe, përfshi edhe Durrësin.
Dosja ankimore e PD-së ngre pretendime për shkeljet në vijim:
- Blerja e votës dhe përdorimi i personave me precedentë kriminalë
PD ka emërtuar në krye të skemës për tjetërsimin e votës në Qarkun e Durrësit drejtuesin politik të PS-së dhe kandidatin, Ardian Cela, ish-kryebashkian Vangjush Dako, Jurgis Cyrbjan, Ilir Ndraxhi dhe Rrahman Rraja, të cilët i cilëson si të lidhur me krimin.
- Blerja e votës nëpërmjet dhënies së bonuseve dhe përfitimeve të tjera
“Vetëm gjatë javës së fundit të fushatës zgjedhore, Bashkia Durrës shpërndau 6 milionë euro për procesin e rindërtimit ose 89 herë më shumë se sa ka shpërndarë në 15 muajt e fundit,” shkruhet në dosjen e PD-së.
- Tendera/prokurime publike për individët me rekorde kriminale në këmbim të mbështetjes politike në zgjedhje
PD vëren se në vitin 2020 u prokuruan 878 kontrata publike me vlerë 505 milionë €, ndërkohë që mesatarja e vlerës së kontratave publike të 5 viteve të fundit është në vlerën 116 milionë Euro.
- Shteti vendosi investimet publike/rindërtimin në funksion të PS për zgjedhjet
“Në 20 raste, për të cilat Partia Demokratike disponon foto dhe video, ndër të cilat 3 raste nga deputetët e PS-së në Durrës, Milva Ekonomi, Roland Xhelilaj dhe Rrahman Rraja promovuan investime publike me qëllime elektorale,” lexon dosja.
- Intimidimi i administratës shtetërore për të mbështetur PS
PD denoncon se si drejtoritë rajonale arsimore, të bujqësisë, spitalet rajonale, shkollat e mesme, kadastra dhe policia gjatë fushatës u kthyen në shtabe elektorale të PS-së.
- Shpërndarja e lejeve të legalizimit/ndërtimit gjatë fushatës zgjedhore, ku PD ka kërkuar të administrohet si provë edhe audio-përgjimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Kadastrës, Artan Lame.
- Përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale
PD sjell si provë rrjedhjen e databazës së të dhënave të 910 mijë qytetarëve në Tiranë dhe një databazë të ngjashme të denoncuar nga LSI-ja për 350 mijë qytetar.
Po ashtu janë cituar si prova të tjetërsimit të vullnetit të votuesve edhe mohimi i të drejtës për të votuar i emigrantëve dhe të sëmurëve me Covid-19 dhe ndryshimet e njëanëshme të Kodit Zgjedhor.