Partia Socialiste, e përfaqësuar nga Eridian Salianji, ka kërkuar nga Kolegjin Zgjedhor që të mbetet në fuqi vendimi i KAS në lidhje me fletët e votimit.
Vendimi mbështeti propozimin e Partisë Socialiste, e cila kërkoi që në fletën e votimit kandidatët të identifikohen me numra dhe jo me emër e mbiemër.
Sipas raportimit të BalkanWeb Salianji deklaroi se fleta e votimit me emra e mbiemra krijon konfuzion dhe vështirëson procesin e numërimit.
Po ashtu, ai deklaroi se fleta e votimit, në të cilën do të operojnë të gjithë shtresat e shoqërisë, duhet të jetë në mënyrë sa më të thjeshtëzuar
“Në qoftë se do të ishte e mundur të ishte e qartë me emra, po jemi dakord, brenda këtij format ku të duken qartë emrat dhe mbiemrat po jemi dakord. Por nuk ka qartësi, sepse përmasa e fletës duhet të ishte shumëfish më e madhe”, tha Salianji.
Salianji tha ndër të tjera, se edhe në Kosovë, e cila i zhvilloi zgjedhjet në shkurt, fleta e votimit identifikonte kandidatët me numra, gjë që siguron që rezultati të dalë brenda pak orësh.
Ai argumentoi gjithashtu se zgjedhësit e kanë një kandidat të parapëlqyer dhe me siguri që janë informuar mbi renditjen me numra deri në momentin që do të shkojnë të votojnë.
Partia Demokratike apeloi vendimin e KAS mëngjesin e të dielës, duke kërkuar renditje të kandidatëve me emra.
“Rama është i turpëruar nga lista e kandidatëve dhe nuk do që qytetarët t’i shohin ata,” deklaroi PD.