Pse Fatmir Xhafaj nuk mund të jetë më ministër

Nga Redaksia
Pse Fatmir Xhafaj nuk mund të jetë më ministër

Fatmir Xhafaj ka vendosur të qëndrojë Ministër i Brendshëm. Për këtë, bëri sot një deklaratë të gjatë për shtyp, të lodhshme dhe të mbushur me të njetjat akuza duke e shpallur veten hero të shërbimit ndaj interesit publik, i cili po sulmohet nga ata që janë të tmerruar nga drejtësia që ai po sjell.

Përtej propagandës bajate dhe përsëritjes së të njejtës këngë që politikanët shqiptarë kanë përdorur prej gati 30 vjetësh sa herë që akuzohen, bien në sy dy gjëra të cilat dëshmojnë mentalitetin ligjor dhe politik, që e bëjnë Zotin Xhafaj të papërshtatshëm për të qenë Ministër i Brendshëm dhe person kyç në zbatimin e reformës në drejtësi.

Zoti Xhafaj, vendimin e tij për të mos u dorëhequr e justifikoi sot me pohimin se ai nuk ka shkelur asnjë ligj. Në fjalën e tij, duke ju drejtuar publikut të gjërë, ai u shpreh:

Dhe në këtë kontekst, a është dikush, që mundet të më tregojë mua dhe qytetarëve: … cilin ligj kam shkelur, sot si Ministër i Brendshëm, dhe çdo herë tjetër që kam qenë në funksione publike?

Duket se ajo që nuk kupton ose bën sikur nuk e kupton zoti Xhafaj është se cilin ligj ka shkelur dhe për çfarë mund të jetë fajtor ai nuk mund ta thonë dhe nuk duhet ta thonë qytetarët apo askush tjetër, por sistemi i drejtësisë. Ky është thelbi i shtetit ligjor dhe mbi të gjitha qëllimi i reformës në drejtësi që Zoti Xhafaj drejtoi.

Ndaj për t’i dhënë përgjigje pyetjes që sot Zoti Xhafaj na shtroi ne qytetarëve do të duhet që Zoti Xhafaj të hetohet dhe gjykohet nga sistemi i drejtësisë.

Ajo që ne si qytetarë kemi të drejtë të themi apo dyshojmë është se  Zoti Xhafaj mund të ketë shkelur ligjin. Opozita dhe mediat kanë thënë pikërisht këtë—kanë treguar me fakte apo tregues të besueshëm se Zoti Xhafaj duhet t’i nënshtrohet ligjit antimafia, pra pasuria e tij duhet të hetohet — njësoj sikurse Zoti Xhafaj është mburrur se ka hetuar dhe sekuestruar pasurinë e disa trafikantëve të drogës dhe familjarëve të tyre gjatë muajve të fundit.

Gjithashtu, opozita dhe mediat kanë dëshmuar se vëllai i Zotit Xhafaj, ndonëse është dënuar me vendim të formës së prerë në Itali, në mënyrë të pashpjegueshme nuk ka qenë asnjëherë i kërkuar as në Itali dhe as në Shqipëri, ndërkohë që të gjithë anëtarët e tjerë të bandës së tij të dënuar në të njejtin proces janë kërkuar me urdhër ndërkombëtar arresti.

Në këto kushte, është e arsyeshme që të dyshosh se ndoshta Zoti Xhafaj duke qenë Ministër Drejtësie në vitin 2002 dhe përgjegjës për nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes me Italinë për procedurat e ekstradimit, ndoshta mund të ketë ndikuar që vëllai i tij të pretendojë se dënimin italian e ka pranuar dhe e ka bërë në Shqipëri. Edhe ky është dyshim i arsyeshëm dhe duhet të hetohet.

Pra, ka të paktën dy aspekte për të cilat Zoti Xhafaj duhet të hetohet. Hetimi nuk do të thotë se ai është i fajshëm, përkundrazi, sikurse e tha edhe para pak ditësh bashkëautorja tjetër e reformës në drejtësi Ambasadorja Vlahutin, hetimi duhet të bëhet duke respektuar parimin e supozimit të pafajësisë së tij.

Por që hetimi të jetë i paanshëm, i pandikuar dhe i drejtë, duhet që Zoti Xhafaj të japë dorëheqjen, pasi ai nuk mund të hetohet nga vartësit e tij në mënyrë të paanshme—policia gjyqësore që kryen hetimet për llogari të prokurorisë është nën varësi të Ministrit të Brendshëm.

Në fjalën e sotme publike, Zotit Xhafaj shprehu edhe një qendrim tjetër shumë problematik. Ai ju drejtua miqve të cilët ai tha se e kanë mbështetur shumë këto ditë duke ju thëne:

[K]asta e politikës së baltës, nuk di të bëj gjë tjetër veçse të merret me çfarë bën vëllai, motra, nëna, babai, bashkëshortja, fëmijët…

Miqtë e mi, mos prisni të merrem me bashkëshortet, djalin, vajzën, motrat, vëllezërit, baxhanakun dhe kunatin e disa prej këtyre të pacipëve që më kanë sulmuar mua gjithë këto ditë, paçka se ka shumë për të thënë dhe bërë ndaj tyre, në këtë aspekt.

Në fakt, Zoti Xhafaj është autori që e ka kthyer në standard ligjor marrjen me djemtë, vajzat, motrat, vëllezërit, baxhanakët dhe kunetërit. Madje edhe me kushurinjtë prej disa brezash. Të gjithë prokurorët, gjykatësit, ndihmësit ligjorë dhe së fundmi edhe të gjithë policët, në bazë të ligjeve përkatëse të vetingut duhet të japin llogari për të gjithë këta. Karriera e secilit prej tyre mbaron në çast nëse provohet se mund të kenë takuar apo patur njohje edhe me kushërinj të largët të përfshirë në aktivitete kriminale.

Madje në praktikë, hetuesit e vetingut, që duket se kanë përqafuar metodat e hetuesisë komuniste, janë duke u shkaktuar trauma fëmijëve të mitur duke u shkuar nëpër shkolla dhe duke i marrë në pyetje pa leje, praninë e prindërve dhe pa praninë e psikologut. Madje fëmijët janë trajtuar në mënyrë çnjërëzore duke ju kontrolluar edhe veshjet e trupit.

Opozita i kërkoi Zotit Xhafaj kur mbronte vetingun e policëve që vetingu të fillonte nga vetë ai, por ai refuzoi. Tani që vetingun po ja bën opinioni publik, ai ndjehet i prekur dhe i cënuar.

Është ironike në fakt, që “babai” i reformës në drejtësi sot nuk pranon të largohet për një lidhje edhe më të afërt se ato që ai me ligj i ka vendosur për të mbaruar karriera e gjithë kujt në sistemin e drejtësisë.

Së fundmi, si politikan Zoti Xhafaj duhet të dijë që ai ka detyrim për të respektuar standarde morale dhe etike në shërbim të interesit publik.

Lufta kundër krimit, korrupsionit kërkon njerëz pa asnjë dyshim apo mjergull morale. Reformimi i sistemit të drejtësisë kërkon gjithashtu standarde morale. Zoti Xhafaj nuk i përmbush më këto dhe ai nuk mund të vazhdojë të jetë një person kyç në përpjekjet ligjzbatuese në vend.

Njeriu që bërtet se politikanët po dridhen se drejtësia e reformuar nuk do ketë mëshirë për askënd dhe para saj janë të gjithë të barabartë, nuk mundet të mos kalojë vetë provën e parë që i jepet për të dëshmuar se sa e vërtetë dhe sa objektive është kjo drejtësi e reformuar.

Fatmir Xhafaj ka të drejtë të vazhdojë jetën e tij si qytetar i nderuar dhe i pacënuar, nëse vertetohet se nuk ka shkelur ndonjë ligj. Ai mund të jetë edhe ligjbërës. Por Fatmir Xhafaj nuk mund të jetë më njeriu kyç i zbatimit të ligjit në Shqipëri ndërsa ligji kërkon që ai të hetohet mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme që janë ngritur për të.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>