Pse u mpak protesta studentore?

Nga Marlin Muça
Pse u mpak protesta studentore?

Dhjetori i 2018-ës na përfshiu të gjithëve në lëvizjen studentore, në ankthin dhe mallkimin e të përsëriturit të fitoreve historike të studentëve të dhjetorit 1990. Barrës së rëndë historike për të qënë në lartësitë e detyrës i shtohej dhe një formë e re shtypjeje dhe terrori i përdorur nga pushteti i sotëm i qepur me copa të së djeshmes në tkurrjen dhe më pas shkërmoqjen e studentëve që me aq zell mbushën sheshet dhe rrugët e Tiranës.

Natyrisht, pas një dështimi njeriu i hyn një qerthulli të pambarimtë fajësimi të kujtdo që kishte gisht në rënien e tij. Ndaj, besoj se ka ardhur koha që të behet një analizë se cilat ishin tiparet e protestës masive të 11 dhjetorit, pse ne u rrudhëm dhe pse në fund pse u shuajtëm.

Arsyeja kryesore pse ne u rrudhëm ishim vetë ne.

Faza e dytë dhe e fundit e protestës ishte ngujimi. Ngujimi ishte nje zgjidhje, e cila u përqafua nga disa universitete të vendit duke parë se studentët të cilët mblidheshin në sheshin përballë godinës së qeverisë filluan të pakësoheshin. Ngujimi ishte një zvarritje për “dinjitet”, të cilën ne e bëmë të shtyrë nga inati se pushteti nuk po na dëgjonte dhe shokët tanë po preferonin gjithnjë e më shumë rehatinë dhe ngrohtësinë e kolltukut sesa sheshin e protestës para Ministrisë apo Kryeministrisë.

Kur ne hymë dhe zaptuam godinat e fakulteteve, në mënyrë të pavetëdijshme, e zhvendosëm luftën nga agora — ku kishim më shumë vemendje politike dhe mediatike — në një xhep të harruar të kryeqytetit ku presioni i 100 apo 200 studentëve të ngujuar nuk i bënte kurrfarë pershtypjeje një njeriu, i cili me anë të makinacioneve politike gllabëroi një masë prej 30 mijë studentesh.

Kur flasim për studentët shqiptare duhet të kemi parasysh që nuk kemi të bëjmë me një masë të ndërgjegjësuar në raport me situatën sociale dhe politike në vend. Rebelimi ynë i dhjetorit nuk mundi ta tejkalonte natyrën ekonomike të kërkesave. Ne nuk ishim gati për të ndërmarrë këtë lloj përgjegjësie mbi supe. Në datën 5 dhjetor ekzistonin dy realitete diametralisht të kundërta te studentët.

Një pjesë e madhe e tyre, le te themi rreth 90 përqind, doli në rrugë sepse thika ju kishte vajtur në asht. Pjesa tjetër përbëhej nga individë me ndergjegjie të formuar politike, të cilët ishin në kërkim të mbështetjes dhe miratimit të veprimeve të tyre. Kjo mbështetje nuk erdhi.

Kështu, u krijua distancë ndërmjet dy grupeve. Të parët ndiqnin verbërisht të dytët, ata me formimin dhe përgatitjen e mjaftueshme për të drejtuar turmat. Të dytët, ata që i dhanë jetë ngujimit u gjendën në krye të një mase qe nuk ishte e gatshme t’i ndiqte drejt realizimit të një të ardhme të re politike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Grupi i parë në masën më të madhe nuk i hynte shumë në pune se çfare bëhej me protestën studentore. Ata me rezultojne edhe të zotët e vërtetë të protestës. Ishin këta njerëz që në dhjetor mbushen sheshet dhe plazmuan iluzionet se ky vend behej. Ishte po ata, të cilët në janar shpreheshin pro protestës por zgjidhnin të futeshin në mësim. Ishin po këta njerez që kur filloi ngujimi kërkonin medoemos mësim paçka se vetëm 20 veta vinin dhe kërkonin realisht mësimin. Janë po këta njerëz, të cilët tani që ka filluar mësimi lënë trecerekun e sallave bosh.

Ky ishte gabimi ynë më i madh. Pritëm shumë nga një brez që dha veç pak. Ndaj dhe turma u tkurr. U tkurr sepse dhjami që e shëndoshte filloi të hante veten prej ankthit se trupi që ajo mbushte do të kalbej e në fund do të pushonte së qenuri mbartës i pashpresë dhe fatzi i veshtullisë së saj shekullore. Të presësh ndryshim sistemi nga ky brez është njëlloj si të kërkosh të mbjellësh palma në pyll. Ne na tradhtuan shokët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>