Përpjekjet këmbëngulëse të administratës Rama, për t’i dhënë vend qendror artit dhe estetikës në jetën publike, kanë tërhequr tashmë vëmendjen edhe brenda edhe jashtë Shqipërisë.
Vetë kryeministri e ka deklaruar disa herë dhe me siguri e beson se mund t’ua përmirësojë jetën qytetarëve nëpërmjet së bukurës, gjithë duke ia siguruar suksesin qeverisë së vet; nga ana tjetër, edhe vetë profesioni i tij i mëparshëm, si piktor, e bën të ndihet më mirë në këto kontekste; me ndihmën edhe të një grupi bashkëpunëtorësh të përkushtuar, ku bëjnë pjesë edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
E vërteta është se temat e kulturës, të argëtimit dhe të artit, si dhe të estetikës së hapësirave publike, duket të kenë pushtuar vëmendjen e mediave kombëtare dhe lokale – që nga koncertet dhe bienalet, tek ekspozitat dhe panairet, festivalet dhe ngjarjet sportive, ceremonitë dhe përurimet dhe gjithfarë aktivitetesh të tjera.
Në disa nga këto aktivitete janë tërhequr edhe artistë me famë botërore, celebrities dhe figura të mirënjohura të showbusiness-it; si dhe institucione të rëndësishme që kanë ndihmuar me fonde ose me vepra.
Ta vësh kulturën, artin dhe argëtimin në qendër të vëmendjes nuk është për t’u qortuar në vetvete; edhe pse shumëkujt do t’i bënte përshtypje shpërpjesëtimi midis problemeve të mëdha që ka Shqipëria, dhe energjia materiale dhe shpirtërore që derdhet për tema dhe kauza soft jo vetëm në mediat, por edhe në veprimtarinë publike të pushtetarëve.
Hipoteza se e gjitha kjo bëhet për t’u hedhur njerëzve “hi syve” dhe për t’i bërë të besojnë se kjo qeveri është “në kontroll të punëve” më duket, në rastin më të mirë, naive. E megjithatë, ka një arsye të madhe, jo vetëm instrumentale por edhe strukturore, që po e detyron pushtetin sot që të fokusohet në kulturë.
Në rrafshin më të cekët, kjo arsye mund të ilustrohet me anekdotën e atij të dehurit natën, që kërkonte çelësat e humbur poshtë një llambe; jo sepse i kish humbur vërtet atje, por sepse vetëm poshtë llambës kish dritë. Me fjalë të tjera, elitës së sotme në pushtet i pëlqen të merret me kulturë, sepse në atë fushë ndihet më mirë.
E theksoj – ky do të ishte shpjegimi në sipërfaqe.
Ka edhe një shpjegim tjetër, që shkon pak më thellë, dhe që lidhet me natyrën e marrëdhënieve që vendosen midis ngjarjeve kulturore dhe qytetarëve – dhe pikërisht, me krijimin, riprodhimin dhe mirëmbajtjen e publikut.
Si kategori sociale, publiku është i ndryshëm edhe nga populli, edhe nga qytetarët, edhe nga klasat tradicionale; sepse ai përkufizohet jo në marrëdhënie me ligjin, me të drejtat, me mjetet e prodhimit a me historinë – por në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me spektaklin.
Autorë të ndryshëm, mes të cilëve Michael Warner ku jam mbështetur unë(*), e përcaktojnë publikun në bashkëlidhje dhe referim me një diskurs të caktuar; në kuptimin që ky publik nuk ekziston, përveçse brenda marrëdhënies që ka me një diskurs publik të caktuar.
Për shembull, vendosja e veprave të tilla të artit, si “marquée-ja”, “këpurdhat” ose “Reja”, në hapësira të qendrës së Tiranës, dhe jehona që iu dha këtyre në mediat tradicionale dhe në rrjetet sociale, përmes autoritetit të kreut të qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, krijoi një publik me karakteristika unike; sikurse krijoi një publik me karakteristika unike inaugurimi i këndit të lojërave për fëmijë te Parku i Liqenit; ose suksesi i kombëtares së futbollit; ose pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venezias; ose dita pa makina e të tjera evente me natyrë spektakulare ose performative, të nistuara nga politika dhe të amplifikuara nga mass mediat; përfshi këtu dhe publikun jashtëzakonisht të gjerë që ndjek hap pas hapi, me “likes” dhe komente, performancat dhe show-t individuale të pushtetarëve në Facebook, Twitter dhe Instagram.
Hipoteza ime është se ky publik po konstituon bazën sociale parësore të së paku një pjese të koalicionit që ka sot pushtetin në Tiranë.
Me përkufizim, publiku – në përgjithësi – është marrësi, destinatari ose i adresuari i spektaklit në trajtë diskursive, të ofruar sipas rastit nga politika, mediat ose arti; dhe aq më e vërtetë është kjo, nëse këta tre faktorë kombinohen.
Dhe ndryshe nga, të themi, studentët që përkufizohen me atë që ndjekin një shkollë të lartë; ose punëtorët, që përkufizohen me atë që u duhet të ofrojnë “krahun e punës” për të jetuar; ose pensionistët, që varen nga sigurimet shoqërore; publiku nuk punon, as zotëron ndonjë pronë ose të drejtë specifike; por vetëm konstituohet si palë në komunikim, kryesisht si skaji marrës i diskursit publik.
Nëse është kështu, atëherë një forcë politike që e ka bazën te publiku, është e detyruar që ta mbajë këtë publik gjithnjë gjallë, duke u kujdesur që ta mbajë të pandërprerë rrjedhën e spektaklit: që këtej edhe veprimtaritë kulturore-artistike aq të dendura dhe jehona, ndonjëherë e shpërpjesëtuar, që u jepet këtyre veprimtarive në mediat.
Por kjo përbën një risi të madhe, në krahasim me mënyrën si e kanë organizuar partitë politike bazën e tyre sociale në të kaluarën – dhe pikërisht, nëpërmjet punës politike kapilare dhe edukimit politik; madje edhe me mënyrën si vazhdon ta organizojë sot bazën e vet sociale ndonjë fraksion tjetër i koalicionit, që konstituohet si makinë punësimi.
Vetë e majta socialiste duhej të ishte me përkufizim, qoftë edhe të paktën pro forma, përfaqësuese e shtresave të pafavorizuara: punëtorëve, fshatarëve, studentëve, të papunëve, pensionistëve; madje duke bashkëvepruar në sinergji me sindikatat dhe forma të tjera tradicionale të shoqërisë civile.
Përkundrazi, PS-ja sot priret të përdorë si “rripa transmisioni” OJQ-të, të cilat financohen, në masë të madhe, nga donatorë të huaj, që kanë interesa specifikë për të çuar përpara.
Kjo zgjedhje është diktuar deri diku nga ndryshimet klasore, duke filluar nga shkërmoqja e pandalshme e vetë proletariatit dhe e sindikatave; por sidomos është diktuar nga lëvizjet e mëdha demografike, të cilat kanë sjellë fluiditet të madh në shoqërinë e sotme; në mos likuiditet, për ta thënë me metaforën e mirënjohur të Baumann-it.
Komunitetet dikur të qëndrueshme, si punëtorët në uzinat dhe fabrikat e mëdha, ose qytetet dhe lagjet me identitet të fortë komunitar – p.sh. “kombinati” – ose urdhrat profesionalë tashmë nuk ekzistojnë më ose nuk luajnë asnjë rol; përkundrazi, njerëzit e kanë më të lehtë të bëhen bashkë, dhe të përftohen si komunitete, përballë eventeve të mëdha spektakulare; me një fjalë, si publik.
Vetëm publiku mund t’i mbledhë bashkë dhe t’i shndërrojë në forcë individët që, përndryshe, mbeten të huaj për njëri-tjetrin.
PS-ja e Ramës duket ta ketë kuptuar këtë më shpejt dhe më mirë se forcat e tjera politike; e ndihmuar edhe nga intuita prej artisti dhe showman-i e liderit, i cili ndihet në elementin e vet, kur ka të bëjë drejtpërdrejt me një publik, ose me skajin marrës të një procesi diskursiv çfarëdo.
Në këtë mënyrë, PS-ja synon që ta shndërrojë në avantazh të vetin çfarë do të ishte, në thelb, një patologji ose të paktën një anomali e jetës sociale; dhe pikërisht atomizimin, ose thërrmimin e lidhjeve të qëndrueshme mes njerëzve a mes qytetarëve, brenda komuniteteve përkatëse.
Dhe nëse ky publik jo vetëm krijohet rishtas, por edhe riprodhohet, nëpërmjet eventeve të njëpasnjëshme, të katalizuara nga prani autoritare – si ajo e vetë Ramës – atëherë nuk do të ketë as detyrimisht nevojë për manipulim të drejtpërdrejtë, nëpërmjet propagandës. Vetë strukturimi rreth këtyre eventeve kulturore me natyrë formale dhe estetike, të kapitenuara nga celebrities të politikës, do të mjaftonte për të konstituuar, kontrolluar dhe disiplinuar politikisht bazën.
_____________________________________
Ky artikull u botua fillimisht në revistën “Peisazhe të Fjalës”