Reforma e parë në drejtësi është zbatimi i ligjit sot. Ju duhet të tregoni që ky vend sundohet nga ligji dhe jo nga të pushtetshmit dhe të fortët.
Kjo është thirrja që qytetarët e grupimit “Për Publiken” i kanë bërë, sot, autoriteteve më të larta të vendit.
Grupimi, që proteston kundër ndërtimit të paligjshëm nga Bashkia e Tiranës të një këndi lojrash në Parkun e Liqenit, i ka drejtuar sot një letër publike drejtuesve të institucioneve kryesore kushtetuese të vendit, përfshi Presidentin; Kryetarin e Parlamentit; Kryeministrin; ministrat e Brendshëm, të Drejtësisë dhe të Mjedisit; dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Letra, që kërkon ndalimin e veprimeve të paligjshme të Bashkisë së Tiranës, shprehet:
“Po ju drejtohemi… juve që keni detyrën kushtetuese për të siguruar respektimin e ligjit nga qytetarët dhe për të garantuar funksionimin ligjor të institucioneve publike të vendit.
“Sikurse mund të jeni në dijeni, prej disa muajsh, Bashkia e Tiranës është duke injoruar, shmangur dhe shkelur ligjet e vendit në një seri projektesh infrastrukturore, përfshi ndërtimin e një këndi lojërash në Parkun e Liqenit, ndërtimin e një parkimi nëntokësor në Parkun Rinia, instalimin e një vepre të arti në lulishten para Galerisë së Arteve dhe rindërtimin e Sheshit Skënderbej.
“Veprimet e paligjshme të Bashkisë përfshijnë ndërtim pa leje, dhunim të pasurisë publike, shkelje të ligjeve dhe rregullave mjedisore, si dhe shkelje të së drejtës së ligjshme të qytetarëve për t’u informuar dhe për të marrë pjesë në vendim-marrjen mjedisore.
“Për të ndalur këto veprime arbitrare, ne—një grup qytetarësh të lirë— kemi protestuar, jemi ankuar dhe kemi bërë padi formale pranë institucioneve ligjzbatuse të vendit, përfshi prokurorinë e Tiranës.
“Fatkeqësisht, deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe nuk kemi parë asnjë reagim.
“Secili prej jush ka folur, gjatë muajve të fundit, për reformën në drejtësi, për luftën kundër korrupsionit dhe për zbatimin e ligjit nga të gjithë pa asnjë përjashtim.
“Secili prej jush ka valëvitur, këtë kohë, flamurin e përpjekjeve në emër të së ardhmes, në emër të Shqipërisë europiane.
“Por si mund të besojmë ne në reformën në drejtësi që ju thoni se do të ndërmerrni dhe në vullnetin tuaj për një Shqipëri europiane, kur disa nga institucionet që ju drejtoni mbyllin sytë para shkeljes së ligjit?
“Si mund të besojmë se në Shqipëri po ndërtohet një shtet ligjor kur ligji dhe të drejtat e qytetarëve shkelen dhunshëm e hapur në mes të Tiranës, përpara kamerave që transmetojnë drejtpërsëdrejti?
“Mbi të gjitha, si mendoni ju se ne mund të besojmë se fëmijët tanë i pret një e ardhme e denjë dhe e lirë në një vend i cili nuk drejtohet nga ligjet, por nga vullneti arbitrar i atyre që kanë pushtetin?
“Ju keni, sot, detyrën dhe mundësinë të dëshmoni, të kundërtën, se ky vend sundohet nga ligji dhe jo nga të pushtetshmit dhe të fortët.
“Reforma e parë në drejtësi është zbatimi i ligjit sot dhe Ju takon juve ta bëni këtë gjë.”