Komedia e luajtur në Kavajë për marrjen e Bashkisë së Kavajës nga kryetari i ri Redjan Krali mund të konsiderohet emblema e absurditetit të zgjedhjeve të paligjshme të 30 qershorit. Procesioni i kurorëzimit të tij kishte, gjithashtu, të gjitha ngjyrat e tragjikes dhe komikes.
Pasi nuk u lejua nga protestuesit, të cilët nuk pranonin kryetar të zgjedhur me vetëm 11 përqind të votave (nëse i besojmë të dhënave nga KQZ), zoti Krali u detyrua të kurorëzohet në Prefekturë. Pas betimit, ai deklaroi për mediat: “Tashmë ka filluar detyra. Nuk është koha e fjalëve, është koha e punës”.
Puna e parë që kryetarit të ri iu desh të bënte: Të shkallmonte derën e institucionit që do të drejtojë.
“Si do të hyni në zyrë?” – e pyetën gazetarët. “Nga dera,” – u përgjigj zoti Krali, pas sugjerimit të suflerëve të dërguar nga Tirana si përforcime. E thënë ndoshta aty për aty, sa për të dalë nga situata, përgjigjia kishte në fakt të gjithë cinizmin e një situate absurde, ku pengesë për marrjen e bashkisë nuk është më vota e popullit, si në çdo situatë normale. Në absurdin e demokracisë përfaqësuese shqiptare, pengesa janë protestuesit dhe brava e kyçur e bashkisë, që nuk lejojë uljen në fron të kryebashkiakut.
Ish-ministri Arben Ahmetaj kishte sajuar tashmë një strategji, me qëllimin për të fituar kohë. Me pretekstin se duhet ta gdhendnin në kujtesë me disa foto këtë moment historik, grupi arriti t’i shtynte disa orë në kafe, derisa protestuesit u larguan dhe situata u qetësua. E vetmja pengesë tashmë mbetej brava.
Më në fund, kryetari i ri arriti të afrohet te porta e bashkisë. Dikush nga mbështetësit, i stërvitur për për këtë moment, nxori një trapan dhe nisi zhvidhosë bravën. Me një të shtyrë të forte, e shqeu. Tashmë rruga ishte e lirë.
Gjatë këtyre momenteve, të pranishmit përpiqeshin të pengonin kamerat, të bindur se pamjet nuk ishin aq dinjitoze për një ceremoni kurorëzimi të një kryetari bashkie. Përkundrazi, menjëherë sapo dera u hap, ata shpërthyen në entuziazëm duke brohoritur: Fitore, fitore!
Gëzimi i rastit natyrisht që nuk erdhi pasi ndokush kishte dyshimin nëse trapani do t’ia dilte të triumfonte mbi bravën. Brohoritjet e tyre janë të kuptueshme si çlirim psikologjik prej një situate absurde, ku i pari i qytetit detyrohet të vijë në detyrë me trapan dhe jo me vota. Kuptohet që e gjitha kjo rëndon mbi besueshmërinë e këtij pushteti dhe mbi legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.
Problemi që mbetet është se tashmë nuk ka trapan që mund të çlirojë psikologjikisht qeverisjen nga kriza e thellë e përfaqësimit dhe degradimi i institucioneve. U hap dera e bashkisë, por jo ajo e legjitimitetit të kandidatëve që vijnë në zyra pa votat e qytetarëve. Kjo histori u përsërit edhe në disa bashki të tjera, paçka se, sipas rastit, në vend të trapanit u përdorën kaçavida, leva apo mjete të tjera rrethanore për pushtimin e institucioneve.
Këto mjete, të përdorura për shqyerje nga ana e pushtetit, janë imazhi i vendit teksa degradon, ndërsa ekonomia po shkatërrohet, krimi po lulëzon e qytetarët po bëjnë ç’është e mundur të emigrojnë.
Realiteti po rrëfen çdo ditë e më shumë rrënimin moral të kësaj qeverisjeje dhe të kësaj qeverie, të cilat kanë rrëshkitur drejt një demokracie formale. Në përpjekje për të deligjitimuar juridikisht opozitën, Prefektja e Kavajës u përpoq që në fillim të justifikonte gjithçka, duke u kapur pas aspektit procedurial se si mandatohet një kryetar bashkie. Njësoj si ajo, edhe ministrja Spiropali, pasi i quajti çetë huliganësh protestuesit, e argumentoi estradën e asaj dite me kokëfortësinë e ligjit.
Por a mund t’i justifikojë ky pushtet të gjitha veprimet e tij të paligjshme me “kokëfortësinë e ligjeve”? Edhe nëse kjo do të ishte e mundur në teori, realiteti tregon se qeveri nuk ka mundur t’i përmbahet as formalisht ligjit.
Rasti më flagrant pak javë më parë kur Partia Socialiste nuk njohu vendimin e Gjykatës së Durrësit, e cila refuzoi t’i jepte mandatin kryetares së zgjedhur të bashkisë pasi doli në përfundimin se zgjedhjet ishin të paligjshme. Në shkelje të parimeve bazë juridike, PS-ja bëri të mundur që e njëjta gjykatë ta shqyrtonte sërish çështjen dhe t’ia jepte mandatin kandidates Valbona Sako.
Kjo maxhorancë formale nuk do t’ia dijë më as për respektimin formal të ligjit. E vetmja gjë që i mbetet të luajë deri në fund është cinizmi i hidhur dhe qesharak i realitetit absurd që ajo vetë prodhon.