Që Zoti Basha të jetë i suksesshëm si polic antikorrupsion – Koment

Që Zoti Basha të jetë i suksesshëm si polic antikorrupsion – Koment

Para pak ditësh një ish-ministër i PD-së, tani deputet, udhëtonte me gruan e tij nga Viena për në Tiranë në klasën biznes. Ndërkohë, avioni kishte plot vende bosh në klasin ekonomik. Ish minsitri u duk i paturbulluar fare nga shikimet dyshuese dhe pëshpërimat e shqiptarëve që udhëtonin në atë avion.

Dy ditë më pas ish-ministri mbajti një fjalë të ashpër në Kuvend kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe amatorizmit të qeverisë Rama.

Ca ditë më më pas, kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi triumfalisht para popullit shqiptar se ai dhe Partia Demokratike do të bëhen barrikadë ndaj korrupsionit qeveritar. Me vendosmëri e siguri, Zoti Basha thirri me zë të lartë:

“Me shpirtrat tanë të bashkuar, me duar, me këmbë, me thonj e me dhëmbë do t’i bëhemi barrierë korrupsionit dhe të korruptuarve… [Do të bëjmë] betimin e transparencës para shqiptarëve si parathënia e një epoke të re, të një demokracie të re ku zotër të vendit të mos jenë më një grusht politikanësh por shqiptarët të bashkuar pa dallim. A jemi gati t’i bëhemi barrikadë e pakalueshme korrupsionit në zyrat e kryeministrit, ministrave, kudo ku gjendet? A jemi gati ta kthejmë në një ferr të vërtetë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë të çdo të korruptuari në Republikën e Shqipërisë? Korrupsioni nuk duhet vetëm të ndëshkohet nga ligji. Prej 1 janarit qytetarët shqiptarë do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë, në sheshe e kudo.”

Nëse do të dëgjonin Zotin Basha, pasagjerët e atij avionit nga Viena në Tiranë do të duhej ta arrestonin deputetin e tij, aty brenda në avion, pasi duke qënë rrogëtar tërë jetën zor se mund të justifikojë udhëtimet luksoze familjare. Pastaj, qytetarët policë do të duhej të arrestonin pothuajse gjithë drejtuesit aktualë të PD-së e pothuajse gjithë deputetët e saj në Kuvend.

Ky do të ishte fillimi i duhur, fillimi i besueshëm, fillimi i drejtë i nismës së arrestimeve qytetare nga Zoti Basha.

Nëse zoti Basha beson vërtet tek transparenca, tek ndershmëria, atëhere ai duhet të fillojë zbatimin e këtyre standarteve brenda “shtëpisë” së tij politike. Le t’ju kërkojë të gjithë drejtuesve të lartë dhe deputetëve të PD-së fotografitë nga jashtë e brenda të të gjitha vilave apo apartamenteve që kanë, kudo që i kanë; t’i pyesë ku i kanë shkolluar apo po i shkollojnë fëmiëjt; t’i pyesë se çfarë makina ngasin vetë dhe familjarët e tyre; t’i pyesë ku i kanë kaluar apo i kalojnë pushimet; t’ju shohë orët e dorës dhe kostumet.

Pastaj të thërresë qytetarët të hyjnë në zyrat e PD-së e të arrestojë të gjithë ata drejtues të PD-së që qytetarët mendojnë se pasuritë e deklaruara prej tyre nuk mund të jenë frut i punës së ndershme.

Pastaj, le të dalë në rrugë dhe ne do t’i shkojmë nga mbrapa n’daç në barrikadat antikorrupsion para institucioneve n’daç në arrestimet qytetare të shtetarëve të korruptuar.

Barrikadat nuk ngrihen me trupa të dhjamur nga paratë e vjedhura.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>