Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDPC) publikoi të mërkurën një raport mbi variantet Delta e Delta Plus të koronavirusit, për të cilat vlerëson se do të mbizotërijnë në BE deri në fund të gushtit.
“Bazuar në avantazhin e vlerësuar të transmetimit të variantit Delta dhe duke përdorur parashikimet e modelimit, 70% e infeksioneve të reja SARS-CoV-2 parashikohet të vijnë për shkak të këtij varianti në BE/EEA deri në fillim të gushtit dhe 90% të infeksioneve deri në fund të gusht,” thuhet në raport.
Për të përmbajtur variantet ngjitëse ajo rekomandoi përfundimin e vaksinimit të plotë të kategorive më të rrezikuara si dhe përshpejtimin e vaksinimit masiv.
Drejtori ECDPC-së, Andrea Ammon këshilloi që vendet e BE-së të vazhdojnë të zbatojnë masat antiCovid.
“Derisa shumica e individëve të prekshëm të mbrohen, ne duhet të mbajmë të ulët qarkullimin e virusit Delta duke respektuar rreptësisht masat e shëndetit publik, të cilat funksionuan për kontrollimin e ndikimit të varianteve të tjera,” citohet ai në një raportim të The Guardian.
Versionet Delta të koronavirusit janë kthyer në një shqetësim të papritur për vendet evropiane e veçanërisht për Britaninë e Portugalinë, ku virusi tashmë qarkullon.
Më herët, kancelarja gjermane Merkel kërkoi që Blloku të zbatojë rregulla të njëjtësuara kundër koronavirusit dhe të izolonte udhëtarët që hynin nga Britania.