Mbas propozimeve për ndryshimet qeveritare të propozuara nga Kryeministri Rama, Presidenti Ilir Meta ka dekretuar shkarkimet e shtatë anëtarëve të Këshillit të Ministrave, nga tetë të propozuara — nuk ka dekretuar shkarkimin e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati — dhe ka dekretuar emërimin e katër emërimeve të propozuara.
Në një intervistë me gazetarin Adi Krasta ditën e hënë, Presidenti sqaroi:
“Dua t’ju siguroj që… Presidenti i Republikës do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore […] Ata që janë emra të rinj, kanë nevojë t’u nënshtrohen verifikimeve përkatëse.”
E vetmja kompetencë kushtetuese e Presidentit në formimin e kabineteve qeveritare është të verifikojë që personi i propozuar nuk mban asnjë detyrë të papajtueshme me postin e ministrit, siç e përcakton Neni 69 i Kushtetutës. Këto verifikime Presidenti duhet t’i bëjë brenda afatit 7-ditor, që Kushtetua ia jep atij për dekretimin e propozimeve për postet qeveritare. Afati mbaron në datën 12 janar.
Por në rastin e emërimit të Ministrit të ri të Jashtëm, duket se Presidenti Meta po i jep vetes një rol përtej të drejtës së tij kushtetuese. Në të njejtën bisedë me Adi Krastën, Zoti Meta pohoi:
“Përsa i takon Ministrit të Jashtëm, do të bëj një sqarim. Mendoj se ky është një pozicion tepër i rëndësishëm dhe delikat. Çdo pozicion ministri është i tillë, për arsyet e përfshirjes së Shqipërisë në disa iniciativa mjaft të rëndësishme, si në Trojkën e OSBE-së.”
Nga ky pohim duket se Zoti Meta ka marrë përsipër të vlerësojë jo vetëm përputhshmërinë e emërimit me Kushtetutën, por edhe cilësinë e personit të propozuar për ministër. Por kjo përgjegjësi është kompetencë ekskluzive e Kryeministrit dhe Kuvendit. Është e drejta kushtetuese e Kryeministrit – si në gërmë, edhe në frymë – të zgjedhë këdo që dëshiron të shërbejë në kabinetin e tij si anëtar i Këshillit të Ministrave, dhe e Kuvendit ta miratojë apo jo këtë zgjedhje të Kryeministrit. Çdo lloj ndërhyrjeje në këtë kompetencë nga Presidenti Meta është qëndrim qartazi në shkelje të Kushtetutës.
Edhe pse gjasat janë që pohimi i Presidentit në lidhje me Ministrin e ri të Jashtëm të jetë thjesht një veprim për të krijuar mbresë në publik, më shumë sesa qëndrim i vërtetë institucional i tij, nuk mund të mos vihet re se kohët e fundit Presidenti Meta ka marrë në mënyrë sistematike qëndrime që janë minimalisht të dyshimta për kushtetueshmërinë e tyre.
Në dhjetor 2018, Zoti Meta i ktheu mbrapsht Kuvendit Ligjin për Buxhetin e Shtetit 2019. Në shpjegimet, ai sqaroi se një nga arsyet kryesore të kthimit ishte “plotësimi i kërkesave të studentëve”. Me këtë veprim Presidenti është rrekur të marrë kompetencat e bërjes së politikave publike, e cila është kompetencë ekskluzive e ekzekutivit dhe legjislativit.
Si për ta çuar deri në fund këtë përpjekje të Presidentit, ditën e shqyrtimit në Kuvend të dekretit tij, PD dhe LSI thyen bojkotin disamujor parlamentar dhe u futën në Kuvend për të propozuar ndryshime në buxhetin e shtetit për të plotësuar kërkesën e Zotit Meta për studentët.
Në një rast tjetër, në nëntor 2018, Presidenti Meta nuk dekretoi propozimin e Kryeministrit Rama për emërimin e Sandër Lleshaj Ministër i Brendshëm. Në mënyrë krejtësisht të pazakontë, Presidenti nuk dha asnjë sqarim për arsyen e mosdekretimit, duke pohuar vetëm se ai nuk kishte “krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshajt si Ministër i Brendshëm.”
Ndërkohë, në media rodhi apo u la të formohej opinioni se mosdekretimi i Lleshajt kishte të bënte me mundësinë e përfshirjes së tij në veprimtari antikombëtare. Zëdhënësi i Presidentit pohoi për një media se Presidenti ishte i gatshëm të sqaronte arsyet e mosdekretimit në një seancë me dyer të mbyllura të Kuvendit, çfarë e fuqizoi hamendësimin e përfshirjes së Lleshajt në vemprimtari që cenonin sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Por Kryeministri Rama e ridekretoi Sandër Lleshajn, dhe pas këtij dekreti u mësua se arsyeja e dekretimit nga Presidenti ishte jo vetëm pa asnjë problem të merrej vesh nga i gjithë populli, pa patur nevojë për seanca të mbyllura parlamentare, por mbi të gjitha ishte arsye jo problematike në mos banale — përftimi nga Lleshaj i dëmshpërblimit të urdhëruar nga gjykata për largimin e padrejtë nga qeveria e mëparshme të Lleshajt nga detyra e Zëvendës-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
I debatueshëm ishte edhe kthimi nga Presidenti Meta i ndryshimeve në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, i cili ulte tatimin mbi dividentin e kompanive. Edhe pse argumetimi i Presidentit në përshkrim kishte tingëllim kushtetues, shkeljen e “pabarazisë para ligjit”, kthimi i ligjit ishte sërish kapërcim i përgjegjësive kushtetuese, pasi në thelb synonte, në mos të ndikonte politikat publike, të kryente një veprim propagandistik me natyrë politike.
Ndërsa qëllimi politik i këtij protagonizmi të Presidentit Meta mund të hamendësohet nga gjithkush, është e qartë se ai po zhvillohet në një shtrat jokushtetues, pa i shërbyer interesit publik. Në fakt, Presidenti ka instrumenta të tjerë të mbikqyrjes apo të balancimit, veçanërisht përmes të drejtës së tij për të marrë informacion nga të gjitha institucionet shtetërore, të cilat mund t’i përdorë si për protagonizëm politik ashtu edhe për t’i shërbyer interesit publik. Mosdekretimi apo zvarritja e emërimeve dhe ligjeve ka ndikim vetëm kur bëhet nga themele kushtetuese, siç ishte rasti i ligjit për teatrin.