Departamenti Amerikan i Energjisë ka konfirmuar se ka rënë pre e atij që po përshkruhet si sulmi më i rëndë kibernetik ndaj qeverisë amerikane, raporton BBC.
Ky departament është përgjegjës për menaxhimin e armëve bërthamore të SHBA, por siguria e arsenalit nuk ishte komprometuar, sipas njoftimit të zyrtarëve.
Gjigandi i teknologjisë “Microsoft” tha gjithashtu se kishte gjetur programe me viruse në serverat e tij.
Rusia ka mohuar çdo rol të saj në ngjarje
Departamentet e Thesarit dhe Tregtisë në SHBA kanë qenë ndër objektivat e tjerë të sulmit të sofistikuar, që ishte zhvilluar prej disa muajsh.
Studiuesit thonë se mund të duhen vite për të kuptuar plotësisht objektivin dhe mënyrën se si ishte zhvilluar sulmi kibernetik.
Presidenti Donald Tramp ende nuk ka komentuar ngjarjen ndërsa Presidenti i zgjedhur Xho Bajden është zotuar të bëjë sigurinë kibernetike një “përparësi kryesore” të administratës së tij.
Agjencia e Sigurisë dhe Infrastrukturës Kibernetike (Cisa) në SHBA paralajmëroi të enjten, se “infrastruktura kritike” ishte dëmtuar, agjencitë federale dhe kompanitë e sektorit privat u komprometuan dhe se dëmi përbënte një “kërcënim të rëndë”.
Hakimi filloi të paktën në mars 2020, tha Cisa e cila nuk tha çfarë informacioni ishte vjedhur ose rrezikuar.