Qeveria gjen shkelje në lejet e ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë

Qeveria gjen shkelje në lejet e ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka gjetur shkelje të shumta në procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, apo edhe  operimit të hidrocentraleve në Kosovë.

Sipas zëvendësministres së Ministrisë së Mjedisit, Linda Çavdarbasha, e cila citohet nga Radio Evropa e Lirë duke folur të enjten në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane”, shkeljet janë hetuar nga një komision ndërministror e janë përmbledhur në një raport.

Çavdarbasha pohon se në hetime qeveria ka përfshirë banorë të zonave ku janë ndërtuar hidrocentralet, operatorë të ndryshëm e organizata joqeveritare.

“Është mjaft raport voluminoz dhe i përfshin të gjitha hidrocentralet e Kosovës. Kështu që kemi parë shumë shkelje. Shkeljet janë nga aspekti administrativ. Ka shkelje në akte ujore, në akte mjedisore, shkelje në pjesën e inspektoratit, i cili nuk ka pasur vizita të mjaftueshme në terren. Kemi parë shkelje në transparencë dhe shumë e shumë shkelje të tjera, për të cilat duhet të merret një vendim,”deklaroi Çavdarbasha.

Raporti i është dorëzuar ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ende gjendet në fazë shqyrtimi. Aktivist për mjedisin kanë kërkuar që personat përgjegjës për abuzimet të dënohen.

Ndërkohë, më herët, përveç shkeljeve të denoncuara nga aktivistët, edhe zyra e Avokatit të Popullit në Kosovë botoi një raport të ngjashëm, ku gjeti mangësi në zbatimin e proçedurave, trasparencës, pjesëmarrjes së publikut apo qasjes në drejtësi.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>