Hashtag.al — Javën e fundit u përcoll me bujë ekspozita personale/private e artistit Edi Rama në Bienalen e Venecias. Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit shkruan se qeveria e Kryeministrit Edi Rama e ka financuar me fonde publike këtë bienale.
Raporti i siguruar në rrugë zyrtare nga Hashtag.al, zbulon se në intervalin kohor Mars-Tetor 2016, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kryer një sërë prokurimesh të paqarta dhe të dyshimta publicitare, me kompani të huaja dhe shqiptare. Pjesë e kapilarëve të financimit ka qenë dhe ‘Fondacioni Bienalja e Venecias’.
Historia nis në Mars 2016, kur ish-ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, vendosi një fond prej 500 mijë dollarë (në total për vitin 2016) në dispozicion të reklamave për promovimin e Shqipërisë. Ky projekt u quajt ‘Albania go on your way’.
Më pas ministria e Ekonomisë lidhi një kontratë me vlerë 95 mijë euro me një kompani të huaj për transmetimin e reklamës kampionatit evropian të futbollit ‘Euro 2016’ në Francë. Por, KLSH raporton se reklama nuk u transmetua në Francë për shkak të disa problemeve me afatet e kontratës. Ndaj, Ministria e Ekonomisë vendosi transmetimin e kësaj rekalame në “Bienalen e Venecias”.
“Spoti rezulton se është përdorur për promocion gjatë Festivalit të Venecias dhe jo gjatë kampionatit Evropian” — shkruhet në raportin e KLSH.
Më tej raporti shkruan se:
“Nga auditimi ekziston komunikimi elektronik me kompaninë “Outdoor Revolution” me seli në Londër, me Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT). Ku është pranuar, “silver package 12×30” spote në ditë, për 11 ditë. Në këtë ofertë, del e paqartë që është spoti prej 10 sekonda, i cili u prodhua nga kompania fituese ‘Publicita shpk”, për t’u publikuar në Euro-2016, apo kemi të bëjmë me ndonjë spot tjetër. Në faturën e sjellë nga kompania e huaj, “Rapture Entertainment Limited” Londër, flitet për një spot 30 sekonda.
Nga auditimi i dosjes fizike kompania e cila ka ekskluzivitetin për transmetimin e spotit është “Outdoor Revolution” me këto të dhëna: “Fondazione La Bienale di Venezia” dhe nuk jepet asnjë dokumentacion ligjor dhe asnjë argumentim faktesh për lidhjen që kanë këto kompani “të përzgjedhura nga AKT-ja”.
Pra, gjetjet e audituesve kryesisht janë:
Ministria e Ekonomisë ka bërë një sërë kontratash me disa kompani të huaja për transmetimin e spotit promovues në Euro 2016, me vlerë rreth 95 mijë euro.
Kontratat dhe procedura si e kreu këtë transferim duket e paqartë dhe për audituesit e KLSH-së, të cilët shprehin në mënyrë eksplicite mungesën e dokumenteve dhe faturave në ministri.
Ato pak dokumente të siguruara nga KLSH-ja zbulojnë se kontrata e lidhur në Tetor me kompaninë angleze “Outdoor Revolution” shkonte për llogari të ‘Fondacionit Bienalja e Venecias‘
Ministria e Ekonomisë nuk ka ofruar dokumentacion të plotë për të treguar në mënyrë të detajuar se sa fonde publike ka përfituar Fondacioni Bienalja e Venecias, ndërsa KLSH-ja shprehet se projekti total i ministrisë për reklamat promovuese ishte rreth 500 mijë dollarë.
Ndonëse ka financuar një spot promovues për vendin, ministria e Ekonomisë e ka mbajtur të fshehtë këtë fakt dhe nuk e ka deklaruar në asnjë zëdhënie publike.
Raporti i KLSH-së e vendos Kryeministrin Edi Rama në një konflikt të pastër interesi, pasi audituesit kanë vërtetuar se ekspozitat private të Edi Ramës janë realizuar në një bienale e cila merr financime nga fondet publike të qeverisë shqiptare.
Për më tepër, ministria e Ekonomisë ka refuzuar të detajojë kontratat që ka lidhur me kompanitë private sa i takon këtij financimi.