Në periudhën janar-shtator 2015 ka patur rreth 3,5 milionë dalje të shtetasve shqiptarë nga territori i vendit. Sipas INSTAT, bazuar në raportimet e Ministrisë së Brendëshme, në këtë periudhë ka pasur rreth 300 mijë dalje më shumë se sa në të njejtën periudhë të vitit të shkuar.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se në janar-shtator 2015 ka patur rreth 450 mijë dalje shtetasish shqiptarë më shumë se sa hyrje. Dukuria, nga pikëpamja statistikore, nuk është e re, por mesatarja e pesë viteve të mëparshme ishte rreth 300 mijë dalje në vit më shumë se hyrje. Kjo do të thotë që në nëntë muajt e parë të 2015 ka patur një rritje me 50 për qind të daljeve pa kthim të shqiptarëve nga vendi krahasuar me mesataren vjetore të pesë viteve të shkuara.
Të dhënat e vetë Ministrisë së Brendëshme, referuar nga INSTAT, përgënjeshtrojnë deklaratat e njëpasnjëshme të Ministrit Tahiri dhe qeverisë në lidhje me emigrimin e qytetarëve shqiptarë. Zoti Tahiri ka pretenduar vazhdimisht se të dhënat e hyrje-daljeve nga vendi nuk tregojnë asnjë anomali apo ndryshim të fluksit të daljeve të shqiptarëve në krahasim me vitet e mëparshme.
Së fundmi, në datën 9 nëntor, mbas një takimi në Tiranë me Ministrin e Punëve të Brendëshme të Gjermanisë, i ardhur posaçërisht për problemin e emigrimit, Zoti Tahiri u shpreh: “informova kolegun se sipas të dhënave tona daljet nga kufiri Shqiptar nga pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë janë vetëm 0,6 për qind më shumë krahasuar me ato të një viti më parë, gjë që do të thotë sipas të gjitha të dhënave që kemi pjesa më e madhe e azil-kërkuesve shqiptar në Gjermani janë shqiptarë prej kohësh rezident në Greqi.”
Është e qartë se deklarata e Ministrit ka qënë e gënjeshtërt, dhe me shumë gjasa keqinformim i qëllimshëm. Në kohën kur e bëri këtë deklaratë, Ministri e ka ditur se në fakt daljet nga kufiri për periudhën 9 mujore ishin jo 0,6 përqind por 10 përqind më të larta se në të njejtën periudhë të vitit 2014. Për më tepër, e ka ditur që diferencat hyrje-dalje të shtetasve shqiptarë ishin rritur me 50 përqind në favor të daljeve.
Statistikat e publikuara rrëzojnë çdo pretendim të qeverisë shqiptare se shumica e emigrantëve shqiptarë në Gjermani kanë patur si vend nisjeje Greqinë e jo Shqipërinë. Të dhënat tregojnë se qytetarët që po provojnë të emigrojnë kanë ikur nga Shqipëria dhe jo vendet e tjera.